Një muaj paraburgim dy shqiptarëve, kaluan gabimisht kufirin me Serbinë

Gjykata në Serbi u ka shqiptuar nga 30 ditë paraburgim dy shqiptarëve të cilët janë kapur në fundjavë nga xhandarmëria serbe në vijën kufitare Kosovë-Serbi, në afërsi të Podujevës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë  se e njeh njërin prej tyre, duke bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij, njofton RTK.

Ahmeti shkruan: "Blerim Maqastena është një prej njerëzve më të mirë që njoh. Shok më besnik nuk di që ka. Një prej njerëzve që e ka gjithsecili që kur ke nevojë për ndihmë është ndër të parët që e thërret. Pa marrë parasysh bindjet politike dhe situatat, ka qenë njeri që më ka shkruar në situatat më të vështira veç me më pyet si jam.

Blerimi me një shok janë arrestuar nga xhandarmeria serbe te kufiri për shkak se si duket e kanë kaluar gabimisht. Sot gjykata në Serbi ia ka shqiptuar masen e paraburgimit prej 30 ditësh.

Blerimi nuk ka qëllime të këqija e as nuk kalon kufij ilegalisht për me bë diçka. Është asambleist në Podujevë. U bëj apel krejt institucioneve tona të bëjnë çmos për të siguruar lirimin e Blerimit. Iu bëj apel edhe institucioneve në Serbi për lirimin sa më parë të Blerimit. Nuk ka nevojë për situata të tilla krize, e sidomos jo në pandemi!"