A duhej të bënte thirrje opozita për protesta? Ja ç’thotë Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në Çim Peka Live se largimi i Ardi Veliut është një domosdoshmëri absolute.

Ai tha se edhe në diktaturë, nëse do ishte diskredituar siç i ndodhi me nënën e adoleshentit të dhunuar, Veliu duhej të ishte larguar.

“Përsa i përket reformimit të policisë, kjo është shumë e domosdoshme. Por në fushatë elektorale ky nuk është një mision i thjeshtë,” tha Berisha, edhe pse sipas tij, reforma në polici është mision themelor.

I pyetur nëse PD dhe opozita duhej të kishte bërë thirrje për t’u bashkuar në këtë protestë, Berisha tha: “Opozita, mendoj se ka dënuar dhe ka mbajtur qëndrim të drejtë në raport me vrasjen. Ka dënuar dhunën ndaj protestuesve, por nuk ka thirrur forcat e veta në protestë për arsye që nuk i kam shumë të qarta. Siç e dini, unë jam i shkëputur nga drejtimi i lidershipit të opozitës”.

“Mendoj se opozita është tërësisht është kundër dhunës ndaj protestuesve, kundër djegies së selisë nga PS, kundër përdorimit të falangave të botës së krimit për të rrahur dhe shkelmuar protestuesit.

A duhej opozita të bënte thirrje në një proces ku e kishin marrë iniciativën të tjerët? Kjo ka etikën e vet. Ata kanë meritën historike, kjo revoltë, kjo kryengritje gjashtëditore, do të shënohet në analet e historisë së këtij vendi si faqe e shndritshme,” tha Berisha.