Berisha: Akuzat e Ramës më nderojnë, Enea Ftoi ishte George Floyd

Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi në Çim Peka LIVE për akuzat që i bëri kryeministri Edi Rama se është organizator i protestave rinore.

“Shfrytëzoj rastin të përshëndes me nderimin më të madh të gjithë ata qindra-mijëra të rinj që mbushën rrugët dhe sheshet e Tiranës për drejtësi dhe për protestë kundër ekzekutimit shtetëror me plumba pas shpine të 25-vjeçarit.

U them se keni mbrojtur nderin e shoqërisë shqiptare. Keni bërë një shërbim shumë të çmuar për vendin tuaj. Jeni treguar trima dhe të pamposhtur ndaj një regjimi që drejtohet nga biri i një xhelati, nga një regjim që ju ka qëlluar me gaz lotsjellës dhe ujë.

Dua të theksoj se akuzat e Edi Ramës vetëm më nderojnë. Unë do kisha nder të madh që të isha organizator apo frymëzues i tyre. Unë e di që nuk jam, por jam admirues i madh i tyre. Ata nuk i morën kujt leje, por nderuan veten e tyre,” tha Berisha.

Sipas tij, “ne jemi në një shtet terrorist policor”.

“Nga viti 2013 deri më sot, kush është dënuar nga njerëzit me uniformë pse u kanabizua Shqipëria? Kush është dënuar për krimin e shëmtuar elektoral?”

Sipas Berishës, George Floyd shqiptar nuk është Klodian Rasha, por Enea Ftoi, i riu rom që vdiq nga dhuna policore në Korçë. Pavarësisht vdekjes së tij, prokuroria pushoi akuzat ndaj policëve.

“Klodian Rasha nuk është George Floyd. Enea Ftoi është George Floyd shqiptar. Askush nuk çau kokën për të vetëm pse ishte rom. Racistët shqiptarë e mbytën në komisariat dhe e nxorën veten të pafajshëm. Në shtetin policor, policia ka pasion vrasjen,” tha Berisha.