Kanadaja nis vaksinimin me Pfizer/BioNTech

Të hënën, Kanadaja nisi vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19, ku vaksina e parë Pfizer/BioNTech u dha në një shtëpi pleqsh në Toronto.

Justin Trudeau, kryeministri kanadez, konfirmoi të dielën vonë lajmin për arritjen e vaksinave.

Grupi i parë i tyre u dërgua nga Belgjika, të premten. Rreth 30,000 dozat e para do të shpërndahen në 14 lokacione të Kanadasë, ndërsa të moshuarit dhe punonjësit shëndetësorë do të kenë prioritet në vaksinim. Të hënën, edhe SHBA-ja nisi imunizimin e popullatës me vaksinën Pfizer/BioNTech. Kjo vaksinë, e cila është një bashkëpunim midis gjigantit farmaceutik amerikan, Pfizer, dhe kompanisë gjermane të bioteknologjisë, BioNTech, ofron mbrojtje deri në 95%.

Javën e kaluar, Mbretëria e Bashkuar ka nisur vaksinimin e popullatës po ashtu me Pfizer/BioNTech. Vaksinat e para, kudo në botë, është thënë se do t’i marrin punonjësit shëndetësorë dhe grupet e njerëzve më të rrezikuar – kryesisht të moshuarit. Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 në muajin mars, shkencëtarët kanë thënë se për ta vënë krizën nën kontroll, duhet vaksina. COVID-19, sëmundje që shkaktohet nga një koronavirus i ri, ka prekur mbi 72 milionë njerëz në të gjithë botën. Prej tyre, mbi 1.6 milion kanë vdekur dhe mbi 47 milionë janë shëruar.