Orvatja e regjimit për ta paraqitur konfliktin polici-qytetarë si luftë pozitë-opozitë

Protestat e të rinjve në shumë qytete të vendit që u ndezën pasi një polic i shtetit vrau të riun Klodian Rasha mëngjesin e 8 dhjetorit në Tiranë kanë tronditur më shumë se kurrë një ndër tezat më flagrante të propagandës qeveritare, atë se shqiptarët nuk ngrihen kundër qeverisë. Dhjetori i 2018-s solli protestat e studentëve, të cilat e vunë qeverinë Rama në vështirësi të mëdha, duke e detyruar kryeministrin të bëjë ndryshime për të zbutur pakënaqësitë e mëdha të akumuluara në opinionin publik. 

Por, vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga prapa shpinës nga një polic, ndërsa viktima po ikte dhe nuk paraqiste asnjë rrezik, nuk mund të gëlltitet lehtë nga bashkëmoshatarët e tij, që e kanë provuar shpeshherë dorën e rëndë të policëve të rinj të repartit Shqiponja gjatë këtyre viteve. Për t’i shtuar dhimbjes turp, propaganda qeveritare hodhi baltë mbi viktimën dhe mbrojti ekzekutorin. Mirëpo, akuzat se viktima kishte kërcënuar policinë me një armë që ishte gjetur në vendin e krimit, u fashitën shpejt nga pamundësia që publiku të besojë se një njeri që ik me vrap, arrin të kërcënojë policinë me armë. 

Të gjendur si asnjëherë përballë një proteste të vendosur, që vazhdon prej një jave, dhe aq më tepër të protestës më të re në moshë që ka parë Shqipëria, qeveria është përpjekur t’i ‘njollosë’ adoleshentët dhe studentët pjesëmarrës si të shtyrë dhe të paguar nga opozita për të rrëzuar qeverinë dhe për të sjellë në pushtet Lulzim Bashën. Duke e paraqitur protestën si partiake, pushteti shpreson të bindë sa më shumë njerëz se kjo nuk është një protestë e sinqertë, se nuk nxitet nga solidariteti dhe kërkesa për drejtësi. 

Orvatja për ta partitizuar protestën dhe motivin e saj është provë se pushteti u frikësohet të rinjve, protestuesve të motivuar ndjenja e kundërshtimit të dhunës sistemike të policisë mbi qytetarëve. Nga të gjithë segmentet shoqërore, të rinjtë - siç po e tregon edhe ngulmimi i tyre në protesta prej një jave – nuk duan t’ia dinë për pasojat. Janë këto të vetmit njerëz të lirë në këtë vend dhe njerëzit e lirë janë kërcënim për çdo tirani. 

Por arsyeja kryesore që ka shkaktuar këtë alarm mes radhëve të pushtetit është dalja në dritë kësaj here e një të vërtete të frikshme: e vërteta e konfliktit të akumuluar gjatë viteve të fundit ndërmjet policisë dhe qytetarëve. Që kur erdhi Edi Rama në pushtet, policia ka vepruar si një instrument shtypës mbi qytetarët dhe garantues për zbatimin e vizionit të Edi Ramës mbi Shqipërinë. Kundër krimit, kjo polici është treguar e butë, toleruese dhe shpeshherë bashkëpunuese. Ndaj qytetarëve, studentëve, opozitës dhe, tani, ndaj protestuesve më të rinj të pluralizmit, e pashpirt dhe e vendosur. Qytetarët dinë ta bëjnë këtë dallim. Ata dinë ta vërejnë dufin e dhunshëm të policisë të derdhet mbi të dobëtin dhe nderimin që i bën të fortit, kriminelit apo trafikantit. 

Si për të provuar se opozita nuk ka dorë në organizimin e revoltës rinore, vetë pjesëmarrësit dhe qytetarët kanë kritikuar mospraninë e drejtuesve të lartë të partive opozitare në këto protesta. Nga opozita nuk kemi dëgjuar asnjë thirrje për dhunë, as fjalë mbështetjeje për çfarëdo veprimi të dhunshëm. Natyrisht, dhuna e organizuar dhe e komanduar e policisë ka potencialin për të qenë edhe më shkatërrimtare kur ushtrohet me mllef dhe pa caqe. Kjo ka ndodhur dhe e ka bërë reagimin nervoz të të rinjve ndaj vrasjes së Klodianit dhe manipulimit të ngjarjes, të duket krejt e tolerueshme. 

Policia është parë në transmetim direkt të qëllojë pa mëshirë me shkopinj gome mbi kokat e të rinjve, ndërsa pamjet e gjakut që rrjedh nga plagët e shkaktuara prej shkopinjve të policisë kanë tmerruar të gjithë qytetarët. Qindra të rinj janë dhunuar në këtë mënyrë, janë ndjekur këmba-këmbës në çdo rrugicë të qytetit dhe janë dërguar në komisariatet e Tiranës. Policia ka vijuar t’i torturojë edhe në dhomat e ndalimit, aq sa një 19-vjeçar u hospitalizua në gjendje të rëndë. 

Për këto arsye, dënimi i dhunës nga opozita nuk ka se si të mos fillojë nga dhuna më e madhe, ajo që shkaktoi të vdekur, të plagosur, të dhunuar dhe të torturuar: dhuna e papërmbajtur e policisë. Po që ta konsiderosh këtë dënim të dhunës si shkelje syri ndaj të rinjve, e aq më tepër të aludosh për financim të protestave nga opozita është përpjekje e mjerë për të fshehur konfliktin polici-qytetarë të krijuar nga sjellja zullumqare e policisë ndaj komuniteteve tona. 

Duke e mbuluar të vërtetën e armiqësisë së madhe ndërmjet qytetarëve dhe policisë, si dhe duke u munduar ta shtypë me egërsi protestën rinore, pushteti do të marrë në shkëmbim një thellim më të madh të kësaj kundërvënieje. Sa më e madhe kjo ndarje, aq më e vështirë do të bëhet për propagandën qeveritare të arrijë dhe bindë opinionin publik dhe aq më e lehtë do të jetë për opozitën të krijojë ura komunikimi me ta.