Gjykata liron 7 të rinjtë që u arrestuan se protestuan pas vrasjes së Klodian Rashës në Durrës

Mesditën e sotme kanë dalë para gjykatës së Durrësit personat e arrestuar për protestën e 11 dhjetorit kundër vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia, ku u dëmtua dekori festiv në sheshin “Liria”.

Gjykata ka vendosur që të lirojë të 7-të personat e arrestuar, duke i lënë në masën e detyrimit të paraqitjes. Këta persona ishin arrestuar me pretendimin se kishin konsumuar veprat pernale të: “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, “Shkatërrim i pronës”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshëm”.

Duket se gjykata edhe pse ka vlerësuar si të ligjshëm arrestimin e tyre ka dhënë masë lehtësuese, duke marrë parasysh moshën e re, por edhe mungesën e provave që ti bënin ata përgjegjës për veprat që akuzoheshin.

Edhe në Tiranë, Gjykata ka pasur tendencë që të japë masa lehtësuese për të rinjtë e arrestuar, që në këto 5 ditë protestash, kanë mbushur rrugët me revoltën e tyre.