Çim Peka: Fëmijët po protestojnë edhe ndaj indiferencës së prindërve

Protestat ishin në qendër të bashkëbisedimit të gazetarit Çim Peka, në SYRI TV. Përballë moderatores Armela Ferko, Peka tha se protesta e të rinjve është edhe kundër prindërve të tyre, të cilët janë indiferentë ndaj asaj që po ndodh në vend.

SYRI TV: Përshëndetje Çimi, mirësevjen! Çfarë mund të themi për këtë protestë të sotme? Duket se të paktën, për dy ditë me radhë, nëse mund të bëjmë një lloj karakterizimi, ka një lloj strategjie të Policisë për të mos lejuar as grumbullimin?

Çim Peka: Jo, nuk ka strategji të policisë për të mos lejuar grumbullimin, sepse po të ishte kjo, i bie që të kishim polici inteligjente. Ne kemi polici të dhunshme. Ja sot, kishim një protestë model, pa asnjë akt vandalizmi nga protestuesit dhe policia sërish bëri të njëjtën gjë që ka bërë prej pesë ditësh: shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe autobote me ujë. Ata nuk dinë të bëjnë gjë tjetër.

Sot në fakt ishte një farë kurthi që protestuesit i bënë policisë: një protestë tërësisht paqësore, model, të shtrirë në asfalt përballë tyre dhe … çfarë shohim?! Shohim sërish të njëjtën gjë.

Pashë njerëz që u ekzaltuan shumë - në fakt për mua ishte një pamje jo fort e këndshme, kur të rinjtë në Durrës përqafonin Policinë për të thënë që ne jemi paqësorë.

Kemi parë në Amerikë kur policët uleshin në gjunjë përballë protestuesve pas vrasjes që i bënë, të famshmit në Amerikë, vrasjes së Xhorxh Floid. Këtu shohim të kundërtën: qytetarë që përqafojnë policinë për të treguar se jemi paqësorë! Në fakt, një polici kriminale! Në përgjithësi për të dhënë një simbol dhe ja sot, ku ishte protesta më paqesorie që nga dita e fillimit, kemi këtë dhunë të pajustifikuar...Këta nuk dinë të bëjnë gjë tjetër!

SYRI TV: Përse ai veprim?

Peka:  Është ajo që kam thënë që ditën e parë: ta harrojë çdo rilindas socialist se Edi Rama po kërkon mandat për ta. Edi Rama po kërkon pazar për vete. Ky njeri është gati ta destabilizojë këtë vend dhe e shijojnë këto protesta, po kërkon pazar. Po kërkon pazar me armën Destabilizim: ‘pra, në qoftë se nuk doni destabilizim nga unë, më jepni pazar!’ Këtë po afron, këtë gjë po kërcënon. Po kërcënon realisht me destabilizim. Nuk e ka për shqiptarët, e ka për ndërkombëtarët, e ka për ata që e kanë mbështetur pafundësisht dhe që ky i ka gënjyer pafundësisht. Këto pamje që pamë pak më parë tregojnë realisht se cila është situata. Është një grup palaçosh mediatikë, që Rama po shpërndan para nëpërmjet Zyrës së tij të Shtypit çdo darkë. Këtë e them me bindje të plotë.

SYRI TV: Është akuzë e rëndë…

Peka: Jo, nuk është akuzë e rëndë, është akuzë e vërtetë. Me palaço si Spartak Ngjela dhe është... janë katër - pesë vetë që i kanë ngelur, fytyrat më të degraduara mediatikisht, që edhe ne kemi përgjegjësi që i kemi promovuar, por janë individë të degraduar moralisht, mediatikisht në gjithçka, nuk kanë bërë asgjë në jetë dhe në ditën më të keqe të Ramës vetëm ata mund të dalin. Po të shikoje thirrjet e ish-palaços së Bllokut është ‘policia t’u thyejë brinjët’, thoshte Spartak Ngjela! Çfarë bënë sot?! Nuk bënë asgjë, por Rama nuk po i përdor për ta, nuk po i përdor për rilindasit, nuk ka hallin e shtetit. Rama ka hallin e vetes dhe thjesht po afron si pazar, destabilitetin ‘ose më jepni pazarin që unë dua’, është ajo që kam thënë ‘paprekshmërinë’. Dhe paprekshmërinë ai e shikon vetëm me Presidencën. Nuk kërkon mandat të tretë. Rama e ka shumë të qartë.

Shikojmë, nëse janë kaq njerëz sot dhe nuk janë më shumë …unë bisedoj përditë, unë jetoj në ‘Stalingrad’, unë jetoj tek Kodra e Diellit ku janë pa përjashtim, që të gjithë familje administrate të majtë. Kur po vija këtu në orën 17:00, të gjithë fëmijët e lagjes, që prindërit e tyre janë pjesë e administratës së ‘Stalingradit’, i kam parë poshtë duke shkuar në protestë. Edhe kalamajtë e tyre nuk po iu binden më! Edhe fëmijët e tyre, fëmijët e prindërve që kanë për idhul Lali Erin, nuk po iu binden më! Të gjithë ishin rrugës për në protestë. Është kthyer dhe trend dhe e shikojnë se nuk kanë çfarë të bëjnë më.

SYRI TV: A kuptohet motoja e kësaj proteste? Për të mos devijuar nga mendimi juaj, sigurisht.

Peka:  Motoja e kësaj proteste nisi me të vrarin, me fatkeqin, me të vrarin nga Policia kriminale.

SYRI TV: Për të kuptuar psikologjinë e këtyre të rinjve…

Peka: Psikologjia e këtyre të rinjve është që nuk kanë çfarë të humbasin dhe e shikojnë që në këtë vend janë tërësisht pa shpresë. Pse është ky brez, pse është kjo moshë kaq e re, ndryshe nga protestat 30-vjeçare?!

E para, sepse studentët nuk janë këtu; mosha më e lartë, kush ka pasur mundësi ka ikur jashtë; prindërit e këtyre fëmijëve, fatkeqësisht një pjesë e mirë janë kthyer vartës të shitur tek kjo lloj administrate. Hollë - hollë fëmijët nuk janë të rebeluar vetëm ndaj Ramës. Janë fëmijët e  rebeluar ndaj kryefamiljarëve të tyre sepse i riu, fëmija nuk e kupton shitjen. Këta janë në moshë që nuk votojnë dhe këta nuk shkon t’i blejë Rama, ditën e votimit se nuk i duhen gjë, nuk janë vota.... Janë prindërit e tyre!

Unë po e them, unë po ta them se unë jetoj në ‘Stalingrad’, ata fëmijë të gjithë ishin rrugës për në protestë. Por kur të vijë dita e votimit, Edi Rama ata i detyron të votojnë për të ose me vende pune, ose me blerje. Këta nuk ka pse i blen. Dhe shiko çfarë ndodh. Fëmijët e familjeve të shitura i ke në protestë! Sepse janë tërësisht të padjallëzuar, janë të pastër dhe me një guxim…Guximin e fëmijës! Guximin e dikujt që nuk ka çfarë humbet! Guximin e dikujt që nuk ka çfarë humbet!

Ndaj, të ndalojmë te numri! Pjesëmarrja mund të ishte shumë më e madhe. Dhe ka brumë për pjesëmarrje, urrejtja është shumë e madhe. Por…unë bisedoj përditë. Pjesa më e madhe nuk po dalin në protestë sepse ka ... Kjo protestë është paralajmërim i asaj çfarë mund të ndodhë në 25 prill në qoftë se nuk ka rotacion! Sepse shumë thonë pse të dalim, ta djegim, të protestojmë për katër muaj!!! Katër muaj është ky. Edhe katër muaj. Që të gjithë e shikojnë rotacionin një domosdoshmëri dhe normalitet. Ama ky është paralajmërim, se nëse Edi Rama ndalon rotacionin, pastaj këtu nuk ndalon kush, nuk ndalohet kush më! Që të gjithë e kanë të qartë, me këtë klimë që po shohim në ekran, me këtë njeri nuk vazhdohet më. Ky vazhdon e thotë ‘kjo është policia që duam!’ - policia që ka vrarë, policia pa numër identifikues, policia me uniforma të policisë turke. Madje. një mik nga Kosova po më shkruante, duke e njohur realitetin, që ka studiuar në Turqi: ‘Ore, më thotë, mos u merrni vetëm me numrat. Shkoni dhe flisjuni policëve se me shumë gjasa mund të ketë prej tyre edhe turq! A jeni të sigurtë se çfarë janë?!’

Këtu  gjithçka ndodh! Mua m’u duk një absurditet, por kur flisnim për avionin e parë të drogës, të gjithë na konsideronin absurditet, ndërkohë që qielli shqiptar ishte bërë trafik milingonash me drogë. Pra, këtu ndodh gjithçka. Ky  e ka humbur, Rama absolutisht e ka humbur qetësinë, nuk ka çfarë fantazon më, se vetëm fantazi ka pasur, është i lexueshëm, është i neveritshëm, por thjesht po afron, po kërkon pazar për vete nëpërmjet destabilitetit. Sot të rinjtë u shtrinë në rrugë dhe ai sërish shkon dhe iu hedh gaz lotsjellës, shkopinj gome dhe autobotë më ujë!!!

SYRI TV: Veprim i kujt është ai? Kemi parasysh një Ministër të Brendshëm të dorëhequr.

Peka: Ku është i dorëhequr ai?! Ku është i dorëhequr?!

SYRI TV: Të paktën sipas deklaratave, asaj që është thënë.

Peka: Atë e kemi tre ditë në ekran që del dhe nuk kërkon ndjesë për çfarë që ka ndodhur, për policinë që ka krijuar, ndaj thotë ‘u tërhoqa!’. ‘Vetëm kisha nevojë për reflektim’ thoshte mbrëmë .

SYRI TV: Pra, është veprim i Sandër Lleshajt po ai, që e shohim edhe sot?!

Peka: Nuk janë të ndarë këta Armela, kanë një mentalitet. Po të shikosh, kjo nuk është polici. Kjo është ushtri. E gjithë veprimtaria e tyre është e stilit ushtarak. Këta nuk po mbrojnë territorin nga pushtuesit. Nuk po ruajnë integritetin territorial të Shqipërisë. Këta po ruajnë territorin e Edi Ramës. Këtu ka përfunduar Policia e Shtetit në Shqipëri. Ne nuk dimë se kë kemi përballë: a kemi policë të shtetit shqiptar, a kemi të importuar nga Turqia; janë vetëm uniformat apo vetëm mungesa e numrave, janë ‘killera’ në kërkim që janë veshur me uniforma policie në ditën kur policë normalë nuk e bëjnë këtë gjë?! Sandër Lleshi thoshte nuk dua t’ua tregoj numrat, pse duhet?!

E detyron ligji! Ne sot atë që kemi përballë me uniformë policie, nuk dimë kë kemi përballë. Ne dimë që vrasjet kryesore të një viti rresht - ata janë vrasës, por janë të veshur me uniforma policie dhe të gjitha vrasjet që kanë ndodhur me uniforma policie (s’po flas për vrasje nga policia), vrasje kriminale me uniforma policie - asnjë prej tyre nuk kemi zbardhur deri më sot.

(Ndërhyn në transmetim të drejtpërdrejtë nga protesta, gazetarja Dea Dervishi: Po synohet që të shkohet përsëri për në Kryeministri , ndërkohë që ka qenë një revoltë deri më tani kundrejt objekteve, si semaforë, tabela etj. dhe në momentin kur u mendua se iu vu zjarri një peme,me vrap protestuesit e tjerë vrapuan që ta shuanin…)

Peka: Duhet pyetur Dea: kjo revoltë ishte para se policia të fillonte me gaz lotsjellës apo pas?

(Dervishi nga protesta: Kjo revoltë erdhi pasi Policia sulmoi me gaz lotsjellës)

Peka: Këta nuk duan protestë paqësore. Ky të afron destabilitetin në këmbim të imunitetit për vete. Kaq e thjeshtë është. Kush s’e kupton këtë, s’ka kuptuar gjë.

(Dervishi nga terreni: Protetsuesit, kur ishin  pak metra larg kordonit të forcave special, u shtrinë në tokë në formë paqesore dhe ën formë dorëzimi. Le të themi që kishin ardhur aty kundrejt kauzës së tyre dhe jo për dhunë personale me efektivët apo me forcat speciale.)

(Transmetohen edhe pamje nga përreth selisë së Partisë Socialiste, ku shfaqet z.Budina)

Peka: Partia Socialiste – sepse dje ka pasur shumë argumente – e para dukej qartë që ishte lojë e policisë. Ke dy emra policësh kriminalë, që ishin të parët që shkuan aty dhe nuk kanë  dalë ta mohojnë akuzën apo lajmin. E dyta – sepse ne kompleksohemi nga kjo që është selia e Partisë Socialiste – sot realisht ne jetojmë në sistemin parti–shtet. Nuk ka më seli e Partisë Socialiste. Çdo seli e Partisë Socialiste është komisariat policie. Janë killera të veshur me uniforma. Çdo komisariat policie është strehë e militantëve të Partisë Socialiste. Çdo pushtet vendor është strehë e militantëve të Partisë Socialiste. Çdo ministri  është strehë e militantëve të Partisë Socialiste. Çdo deputet në parlament aktualisht është shërbëtor i Taulant Ballës, i Edi Ramës dhe i Partisë Socialiste. Pra sot nuk kemi godinë që mban emër të veçantë. Çdo godinë publike sot, se godinat e partive janë godina publike, janë strehë militantësh të Partisë Socialiste.

(Transmetohen thirrje të të rinjve të revoltuar nga protesta, sidomos vajza, duke kërkuar drejtësi)

Peka: Pastaj ka dhe diçka tjetër. Janë shumë të qartë, nuk është se e kanë vetëm me Ramën, ë?! E kanë edhe me prindërit e tyre! Këta kanë humbur çdo…Realisht, unë e kam ndaluar  pothuajse me forcë djalin tim të mos dilte sot. Një i ri që s’ka marrë pjesë në protesta kurrë, i interesuar vetëm për shkollë e për futboll, realisht nuk e di çfarë ndodh në Shqipëri. Por nuk jemi më as ne në gjendje t’i ndalojmë, sepse çfarë po iu afrojmë?! Po iu afrojmë, ose indiferencë ndaj një banditi si Edi Rama, ose shitjen ndaj një banditi si Edi Rama ose shërbim ndaj një banditi si Edi Rama. Kaq po iu afrojmë ne sot  fëmijëve dhe ne de facto atyre po iu afrojmë instalimin e një regjimi të një sëmuri mendor. Dhe po të shikosh këta, janë të gjithë fëmijë, që prindërit e tyre ose mund t’i kenë me punë, ose i kanë me biznese afër qeverisë ose biznese që shkelin një sy dhe nuk i ngacmojnë. Këtu që të marrësh frymë duhet të marrësh leje. Duhet të jesh i lidhur me të.

SYRI TV: Kisha vendosur në fakt që të mos flisja për këtë, por ditën e djeshme më është drejtuar pikërisht një prej prindërve të një prej djemve që ndodhet në një nga fotot që kanë bërë xhiron edhe të mediave ndërkombëtare. Bëhet fjalë për një familje të nderuar, le të themi me një nivel të lartë ekonomik, jo me probleme ekonomike, me një edukim shumë të mirë, e cila më tha po të njëjtën gjë në fakt ‘nuk mundem që ta mbaj djalin në shtëpi’.

Peka: Nuk e mban dot! Nuk e mban dot, sepse kryefamiljarët në Shqipëri i kanë shitur shpirtin ose me indiferencën e tyre, ose me shitje të drejtpërdrejtë, këtij regjimi. Po do të kthehesha edhe njëherë tek godinat. Nuk ka më sot institucione apo …Të gjitha godinat publike janë seli e militantëve të Partisë Socialiste me apo me uniformë, kjo është e dukshme  dhe nuk e mohon kush. 

Shiko, e di çfarë po ndodh?! Kaq diabolik, kaq negativ është në shtetbërje sa ka dy ditë që i lutet Myslim Murrizit që të bëhet Ministër i Brendshëm vetëm që të japë idenë që ia dhashë opozitës, i cili nuk po i pranon! Nuk e kam nga zoti Murrizi vetë, po e kam nga burime të parlamentit. Ka dy ditë qe e refuzon edhe Myslim Murrizi për t’u bërë Ministër i Brendshëm, sepse realisht po i lutet për të krijuar fotografinë e opozitës fasadë, për të thënë që ja, ia dhashë opozitës Ministrinë e Brendshme. Deri këtu shkon mendja e tij.

SYRI TV: A ka rëndësi kush do të vijë tashmë në krye të Ministrisë së Brendshme në këto kushte dhe me këto protesta?

Peka: Absolutisht fare! Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Gjykatës së Lartë, kryeministër, kryetari i parlamentit, kryetari i çdo selie të Partisë Socialiste, kryetari i pushtetit lokal në përgjithësi, gjithçka është Edi Rama. Kush mendon të kundërtën…

SYRI TV: Nuk flitet edhe për zoti Manja? Është një...

Peka: Që të gjithë! Prokurori i përgjithshëm, prokurori i SPAK-ut, i gjithanshmi, gjithologu, i gjithëpushtetshmi është Edi Rama. Kush mendon të kundërtën, gabon! Kush mendon të kundërtën... Madje, shumë herë është edhe zëdhënës i Ambasadës Amerikane, është Edi Rama. E thotë publikisht: ‘flisni me ata’, ‘fola me atë’, ‘kur të më thonë ata’, ‘kur ta bëjnë ata’. Kur i thonë ata kur prish marrëveshjet, ata thonë ‘shiko, është në dorën…’

Domethënë ky vend ka rrëshqitur definitisht në regjim. Janë këta fëmijë dhe sot fatmirësisht është bota e internetit që po i nxjerr këta fëmijë në protestë, se të ishte për mediat, ata nuk ke…Vetëm ne nuk i nxjerrim dot. Është bota e internetit. Sot ka fëmijë të rritur fatmirësisht, fatmirësisht, sot ka fëmijë të rritur në kulturën e You Tube. Unë shikoj fëmijët e mi. Nuk kanë më koncept shqiptar. Ata që shikon ti aty janë fëmijë të rritur nga You Tube, janë fëmijë që e flasin anglishten në mënyrë të përkryer. I gjithë edukimi i tyre, arsimimi i tyre nuk është edukim dhe arsimim shqiptar, është arsimim dhe edukim You Tube. Fatmirësisht dhe kjo është ajo që i bën ata të dalin jashtë.

Mosha ime dhe më lart edhe mund ta pranojë vrasjen e një të pafajshmi që nuk ka vënë maskë.  Ata fëmijë nuk e kuptojnë dot. Nuk e kuptojnë as maskën pse duhet ta mbajnë, një gjë që është në vullnetin e lirë e mban apo nuk e mban. Ata s’e kuptojnë dot as maskën, jo më t’i vrasësh pas shpine ke oborri i shtëpisë pse nuk ke vendosur maskë! Tani le të kthehemi tek - se kanë bërë shumë bujë - këto shfaqjet e shëmtuara të letrave për xhaxhin Edi …

SYRI TV:  Dhe vizitat tek familja ditën e sotme 

Peka: Të neveritshme. Ajo familje nuk paragjykohet, ajo ka zinë e vet dhe duhet respektuar maksimalisht. As nuk duhet t’ua kërkosh se si duhet të reagojnë. Ata janë në të drejtën e tyre dhe në zinë e tyre.

SYRI TV: Po kryeministri çfarë po bën nga ana tjetër?

Peka: Jo, jo! Por, por…ata nuk mund të na diktojnë si po reagojmë. A kemi keqardhje për atë vrasje?! Sigurisht! A po i bëjmë këto protesta për ta ringjallur Klodin e shkretë?! Nuk e ringjallim dot! Atyre u ka ikur djali dhe ne ringjallje nuk u premtojmë. Këto protesta po bëhen që fatin e Klodit të mos e kenë dhe fëmijët tanë. Kaq e thjeshtë është, këtë gjë duhet të kuptojë ajo familje. Nuk po protestojmë për të ngjallur Klodin,  nuk e bëjmë dot! Do ta bënim po të kishim mundësi, do të bënim gjithçka! Ajo familje është në zinë e saj, janë të traumatizuar, janë të vrarë, ata mund të thonë gjithçka, janë në të drejtën e tyre por ne nuk po protestojmë për të ringjallur Klodin. Ne nuk po transmetojmë protesta për të ringjallur Klodin! Ne po transmetojmë protesta dhe po nxisim protesta nëse kemi mundësi, që të mos ketë Klodë të tjerë. Dhe me këta nuk ke asnjë lloj garancie që nuk do të ketë raste ët tjera.

Armela, të jesh e sigurt! Vrasje nga policia këtu kanë ndodhur, por këtu nuk tregohen. Fakti që kjo polici për dy ditë ka tentuar të manipulojë provat (akoma është pa autor pistoleta e hedhur te rruga) nuk ka gjë më kriminale. Të vrasësh një të pafajshëm, ta shesësh si kontigjent, t’i lësh dhe një pistoletë në dorë pa e pasur dhe ... akoma sot nuk ka autor pistoleta. Për këtë po protestohet. Sepse kjo tregon se nuk ishte më një vrasje e izoluar nga një polic i droguar apo çfarë thonë këta. Kjo tregon se ishte një vrasje nga mentaliteti i kësaj policie.

SYRI TV:  Të ndalemi tek pika e fundit,  tek letrat, që tashmë kanë bërë bujë. Përveçse letra e babait, një letër që vinte nga një i ri, nga një fëmijë 6 vjeç dhe më pas dhe letrat që kanë ardhur nga Ultrasit …

Peka: Një 6-vjeçar që akoma nuk ka mësuar shkrim e këndim dhe që shkruante pa asnjë gabim, me presje, me pikë, me pikëçuditëse, me pikëpyetje. Një letër e neveritshme ‘më kthe pemën e Krishtlindjeve, xhaxhi Edi!!!’ . Nuk kishte gjë më të shëmtuar!

SYRI TV: Pse?

Peka: Po ne po i kërkojmë na kthe sigurinë që të mos na vrasë Policia, për këtë po protestohet dhe ai shpërndan  një farsë të shkruar vetë ‘më kthe Pemën e Krishtlindjeve’!!! E kupton se çfarë absurditeti dhe çfarë ironie është dhe çfarë mos reflektimi?! Se ky është problemi! Të gjitha veprimet e tij, edhe letrat e stisura, edhe lehaqeniet që lëshon nëpër studio, edhe vizitat tek familja, edhe mbrojtja që i bën policisë, që të gjitha janë tregues se ai njeri nuk ka reflektuar dhe nuk të jep siguri se nuk do të ketë një vrasje tjetër, një dhunë tjetër nga policia.

Sot u provokua policia dhe iu tha, domethënë iu bë një ‘kurth’ i vogël policisë, pozitivisht, ku vetëm u shtrinë para tyre dhe ata filluan direkt me gaz lotsjellës, me shkopinj gome dhe me dhunën që ne pamë aty. Në këtë aspekt ky nuk ka reflektuar dhe nuk e ka plan. Ky po e shfaq, nuk po e fsheh këtë gjë. Kaq e thjeshtë është.

Dhe diçka për ta mbyllur. Po i kthehem edhe njëherë godinave të Partisë Socialiste. Nuk janë më godina të Partisë Socialiste. Janë godina militantësh që mbushin administratën në Shqipëri, janë godina militantësh që mbushin Policinë e Shtetit, janë godina militantësh dhe godina kontigjenti të cilët vishen me uniforma e vrasin dhe nuk e di kush vret. Po e ritheksoj: çdo vrasje e këtij viti,  janë 4 deri në 5 gjëra të mëdha këtë vit që vrasësit kanë qenë me uniforma policie, asnjë prej tyre nuk është zbardhur deri më sot. Është e pamundur në këtë Shqipëri kaq të vogël, të lëvizin banda me uniforma policie dhe të mos zbardhet një vrasje. Të mos zbardhet një vrasje. Është e pamundur! Se çfarë ndrysho vrasja me policë realë nga vrasja me kriminelë të veshur me uniformë policie?! Ku e dimë ne se kush na kontrollon në rrugë?!

Ne dalim për të vajtur në shtëpi dhe të ndalon policia në rrugë. Ne, ku e dimë se është kriminel me uniformë policie apo është polic që po bën detyrën?! Ky është problemi, është bërë e pamundur ta dallosh. Dhe në qoftë se arrihet kjo klimë dhe është arritur kjo klimë mosbesimi ndaj policisë së kriminalizuar, si mund t’i kërkosh ti një qytetari që të mos reagojë ndaj policit kur ti nuk je i bindur nëse ai është polic apo kriminel?! Kaq! Ky është problem!