Si u kurua shqiptari me Covid nga mjeku më i mirë në Itali

Një person i infektuar me coronavirus nga Shqipëria ka shkaktuar ‘tërmet’ në Itali, për mënyrën se si ai ka hyrë në vend i pashqetësuar nga askush, ka udhëtuar me taksi e ka shkuar në destinacion, në klinikën e doktor Alberto Zangrillo në Milano, për t’u kuruar nga sëmundja në gradën më të rëndë.

Shqiptari me iniciale N.S., 50 vjeç, nga Tirana, rezultoi pozitiv dhe mjekimet e njëpasnjëshme nuk arritën ta luftonin sadopak sëmundjen dhe mjeku i tha se nuk kishte çfarë t’i bënte më. Kishte vetëm një mundësi, ndoshta e paarritshme. Sikur të kishin qenë në Itali ai do t’i kishte rekomanduar ‘të famshmin profesor Alberto Zangrillo, anestezist, më i zoti nga të gjithë e që ka krijuar një kurë e cila ka pasur sukses edhe në raste shumë të rënda’.

Pacientit të dëshpëruar i duket si emër i njohur, pastaj kujtohet: Po sigurisht, e ka parë e dëgjuar në televizor, është mjeku që shëroi Silvio Berlusconin, 84 vjeç. Dhe vendos ta provojë edhe ai, t’i trokasë në derë dhe samaritani i mirë Zangrillo me siguri që do ta kurojë. Një spital që mban emrin e Arkangjelit të mrekullive, Shën Rafaelit, nuk mund t’i refuzojë ndihmën një nevojtari që shkon drejt vdekjes.

N.S. vendos ta provojë, është e kuptueshme, ai nuk ka asgjë për të humbur. Por, ka të tjerë që kanë për të humbur dhe ai i ka vënë të gjithë në rrezik. 50-vjeçari prenotoi udhëtimin drejt Milanos, lexoi paralajmërimet para Ambasadës Italiane, të cilat këshillon fort kundër udhëtimit, si dhe të gjitha dokumentat që duheshin kur të hynte në Itali, duke ditur që rrezikonte kthimin për shkak të kontrolleve të fortë. Dhe dokumenti i N.S. e thoshte qartë: I infektuar me Covid! E megjithatë, i hipi avionit, zbriti në aeroportin Malpensa, ku mori një taksi e cila e çoi drejt e në urgjencën e Spitalit San Raffaele. 

Kërkon profesor Zangrillon, i cili i bën analizat, të cilat dalin pozitive. Nisin menjëherë kurat. Frymëmarrja i përmirësohet. Shqiptari tregon peripecitë, Zangrillo vë duart në kokën e mbuluar me skafandër. Nisin menjëherë procedurat, telefonatat urgjente. Informohet policia në Malpensa, kërkohen pasagjerët që kanë udhëtuar me shqiptarin, kërkohet taksisti që kaloi një orë me të. Një katastrofë. Një vatër infeksioni e lëvizshme që mbërriti në Itali duke çarë sikur të ishte një copë letre barrierën që duhet të ndalojë përhapjen e coronavirusit.

Mos vallë nuk duhej ndihmuar? Po çfarë të bënin, ta merrnin me hu, ta linin jashtë? Mjekët nuk veprojnë në bazë të biografisë, nuk shohin precedentët penalë, shkeljet e ligjit të bëra vetëm një minutë më herët. Ndoshta duhej kthyer me shqelma bythës në Shqipëri, çka do ta bëjnë, por vetëm pasi të shërohet. Sigurisht që ka keqardhje për fatkeqin e kapur nga tmerri, por nuk ka asgjë të pëlqyeshme kur sheh paaftësinë e autoriteteve italiane për ta mbajtur larg vendit.

Ministrat nxjerrin dekrete, komitetet e ekspertëve janë edhe më të ashpër: ndalohen vizitat te gjyshërit, lëvizjet nga një komunë në tjetrën për të vizituar familjarët në ditët e festave të fundvitit, e, duke mos ua pasur besën të rinjve, qeveria ka nxjerrë 70 mijë policë e ushtarë në rrugë për të ndaluar lëvizjet gjatë festave, për të imponuar mbajtjen e maskave dhe dezinfektimin e duarve. E megjithatë, lë të hyjë pa asnjë gjemb në këmbë një infektues nga Ballkani, që përshkoi kufij e kontrolle si thika e nxehtë gjalpin.