E trishtë/ Një tjetër mjek shqiptar humb betejën me Covidin

Një tjetër bluzë e bardhë  nuk ka arritur ta fitojë betejën me koronavirusin.  Ai është mjeku kosovar Nexhip Berisha, i cili ndërroi jetë ditën e sotme, i konfirmuar pozitiv me COVID-19.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar drejtori i Spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj.

 ‘Doktori ka vdekur gjatë ditës së sotme i konfirmuar pozitiv me COVID-19’, tha Avdaj.

Avdaj ka bërë një dedikim prekës ndaj kolegut të tij të ndjerë.

 ‘Do të jesh me ne ashtu siq ishe me mua si shok i studimeve, si doktor dhe do të jesh me mua si frymezim i një miqësie dhe si një koleg i paharuar.

Përjetësia ju takon heronjëve,punonjësve shëndetësore në betejën e tyre sublime ne ruajtjen e shëndetit të popullatës

Dr.Nexhip Berisha pusho në tokën e bekuar të Kosovës për të cilën punove pa rreshtur.

Ngushllime familjarëve e miqve tonë të përbashkët’, thuhet në dedikimin e Avdajt për shokun e tij të ndjerë.

Nga fillimi i pandemisë në Kosovë deri më sot kanë ndërruar jetë nga koronavirusi mbi 20 punëtorë shëndetësorë, shumica prej të cilëve kanë qenë aktiv duke punuar në institucionet shëndetësore.

Ndërsa, për të nderuar kontributin e tyre, ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani javën e kaluar ka dekoruar 18 prej tyre me medaljen e meritave.