Si erdhëm deri këtu?

S'kishte shumë që kishte arritur në zyrën e ministrit të ri të Brendshëm si kryeministri i parë që vizitonte zyrën e vartësit ne 'kohe paqe', kur i kërkoi Saimir Tahirit që të thërriste Drejtorin e Policisë se Shtetit.

Brenda pak minutash Hysni Burgaj gjendej para një pamje sureale: në atë zyre ku kishte pritur e përcjellë plot tre ministra demokratë, njeri tashmë President i Republikës dhe tjetri Lider i Opozitës, tashmë përballej me vetë Kryeministrin e vendit dhe Shefin e ri. Sipas një kodi të mirënjohur të mafies atij ju bë një kërkese që përmbante edhe ultimatumin, edhe pazarin: Drejtorit Burgaj i kërkohej të shkarkonte të gjithë lidershipin e Policisë së Shtetit, duke përfshirë 12 drejtorë qarqesh dhe 8 drejtorë kufiri.

Në këmbim, ai vetë nuk do largohej nga Policia e Shtetit, por do të emërohej Drejtor i Akademisë së Policisë, me të njëjtën gradë. Arsyeja se pse ja kërkonin pikërisht atij ishte sepse para partnerëve ndërkombëtarë që ndihmonin, trajnonin dhe financonin prej me shumë se dy dekadash Policinë e Shtetit, shkrirjen e kupolës se policisë donin t'ia atribuonin pikërisht 'Drejtorit të Saliut'.

Burgaj ndenji dhe ca kohe drejtor i Akademisë së Policisë, pastaj u shkarkua edhe ai. Pjesa tjetër e historisë 7-vjeçare të Policisë së Shtetit, është një dramë me tre akte.

Qorri

Saimir Tahiri, ose 'Qorri' siç e thërriste një miku i tij, eksponent i rëndësishëm i botës së krimit, për shkak se mbante syze, nuk kishte kryer asnjë punë përpara se të emërohej ministër i Brendshëm. Njihej si kahu i djathtë i liderit socialist, si prijësi i protestave popullore të zonës së Kombinatit, për bllokime rrugësh dhe djegie gomash. Mungesa e një eksperience dhe lidhjet e tij me botën e krimit detyruan bashkë drejtuesin e koalicionit Ilir Metën që të kundërshtonte kandidaturën e tij.

Por Edi Rama kishte plane të tjera. Pjesa e përfshirjes së tij me grupet e trafikut të drogës janë tashmë publike, pjesë e një procesi penal. Ajo që dihet me pak, është ajo çfarë ai i bëri Policisë së Shtetit, nëpërmjet të ashtuquajturës reformë. Qe të jemi 'fair', ai bëri dy gjëra që qeveria e mëparshme nuk i kishte bërë.

Së pari, rriti rrogat e policisë bazë, të cilat edhe ashtu të rritura, prapë mbesin të vogla. Dhe së dyti, u mundua deri diku ti jepte një fytyrë tjetër policisë rrugore.

Nga ana tjetër, reforma e Policisë së Shtetit kishte vetëm dy synime: të largonte këdo që mendohej se në një mënyrë ose në një tjetër kishin lidhje me Partinë Demokratike. Dhe së dyti, rekrutimi i një kontingjenti jo vetëm të majtë, por edhe të indoktrinuar politikisht.

Me parimin se 'po bëjmë shtet', dalëngadalë Shqipëria u kthye në një shtet policor. Dhuna policore ishte përgjigja për gjithçka: nëse CEZ dështonte të mblidhte të ardhurat, zgjidhja ishte arrestimi i më shumë se 37,000 personave. Nëse duhej prishur ndërtime pa leje, zgjidhja ishte tritoli. Nëse opozita po riorganizohej, zgjidhja ishte përgjimet e paligjshme nëpërmjet IMSI Catcher.

Emërimi si drejtor i Përgjithshëm i një njeriu që në të kaluaren ishte akuzuar për tejkalim force, kur një ndërhyrje gjatë një pengmarrje rezultoi me viktima, ishin indikacion i parë se motoja e re e Policisë së Shtetit nuk ishte ligjshmëria, por dhuna.

Pastrimi i Policisë së Shtetit u bë në dy nivele: niveli i parë përfshinte të gjithë kupolën drejtuese, duke filluar nga Drejtori i Përgjithshëm, zv. Drejtoret e përgjithshëm, të gjithë drejtorët në Drejtorinë e Përgjithshme, drejtor e zv. Drejtore qarqesh, shefa komisariatesh, dhe drejtues seksionesh. Kurse, niveli i dytë preku një grup specifik: njësitë operacionale, në qendër dhe qarqe. Pikërisht ata që merreshin me përgjimet dhe gjurmimin e subjekteve kriminale. Duke shkrirë njësitë operative, automatikisht u shkri i gjithë rrjeti i informatorëve të Policisë së Shtetit. Nëpërmjet këtyre 'reformave' ai arriti të zhbënte dhe të shkrinte policinë kriminale. Pikërisht atë, që merrej me luftën ndaj trafikut të drogës. Në pamundësi për të vënë nën kontroll të vetmin institucion të sigurisë kombëtare të pa kapur, ShISh, ai përdori Policinë e Shtetit për të vënë nën përgjim dhe ndjekje efektivet e shërbimit sekret.

Praktikisht ai filloi një luftë frontale ndaj këtij institucioni, dhe kulmi arriti në dy momente, sëpari kur ShISh njoftoi Prokurorin e Përgjithshëm se policia kishte futur në mënyrë të paligjshme një pajisje përgjimi, i quajtur IMSI Catcher (pajisje që ishte përdorur edhe në Maqedoni për të rrezuar një qeveri nëpërmjet përgjimeve të paligjshme) dhe se dyti kur ShISh doli në një raport sekret për përfshirjen e 134 drejtuesve të lartë (prurje të tij dhe Rilindjes) ne trafikun e drogës.

Me periudhën e Saimir Tahirit përkojnë edhe takimet e Kryeministrit në zyrën e tij, herë mediatike, e herë jo, me të gjithë lidershipin e Policisë së Shtetit. Këto takime ishin treguesi publik se tashmë Policia ishte tërësisht nën kontrollin politik dhe operacional të qeverisë. Pankartat 'Faleminderit Saimir Tahiri' të ngritura nga efektivë të rinj të policisë, me rastin e largimit të ministrit për përfshirje në trafikun e drogës, ishin treguesi më i qartë i militantizmit të saj.

Ministri i Amerikaneve

Profili i Fatmir Xhafaj si ministër i ri, ishte e kundërta e paraardhësit. Një politikan karriere, me eksperiencë të gjatë herë si hetues i regjimit komunist, herë si deputet, herë si ministër drejtësie, herë si jurist, në aspektin formal nuk kishte të sharë. Përfshirja e tij si njeriu kyç i Reformës në Drejtësi i veshi atij përshkrimin si 'njeri i amerikaneve' për shkak të rolit kyç të Ambasadës Amerikane në këtë reforme.

Zhvillimet e shëmtuara në të ashtuquajturën 'Rasti Babale’, u tregoi shqiptareve se Ministri i Brendshëm kishte një vëlla, të dënuar në Itali për trafik droge, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili jetonte dhe vepronte i lirë, edhe pse duhej të arrestohej nga vetë policia të cilën e drejtonte vëllai. Nuk është krejt e pasaktë të mendosh se vëllain trafikant më shumë e mbronte Kryeministri sesa vëllai i tij ministër.

Ngjarjet e mëvonshme treguan pikërisht këtë. Përpjekjet për deligjitimimin e një përgjimi e drejtoi vetë kryeministri, dhe jo ministri. Vetëm dy ore pas bërjes publike të atij përgjimi, Edi Rama doli garant se jo vetëm ai përgjim ishte i manipuluar, porse ai vetë kishte kryer aktin e ekspertimit. Kapja e një laboratori droge në Has nëpërmjet bashkëpunimit të Ministrisë së Brendshme dhe partnereve europiane, si sekuencë ngjarjesh solli dhe fundit e karrierës së Xhafajt në krye të ministrisë së Brendshme.

Mbrojtja e vëllait trafikant dhe lufta ndaj vëllait ministër, tregoi qartë se në cilën anë qendronte Edi Rama.

Sandër Kimiku

Emërimin i një ish-gjenerali të ushtrisë në krye të sigurisë së brendshme ngjallte një shije të hidhur që në fillim. Refuzimi i dekretimit të tij nga Presidenti i Republikës, mediatikisht dhe politikisht ishte konfuzues. Arsyet e vërteta ndoshta nuk do ti marrim vesh kurrë, por nuk është larg të vërtetës hamendësimi se kjo kundërshti kishte të bënte me arsye të sigurisë kombëtare. Si një njeri me karriere ushtarake, dhe jo civile, që në fillim ai tentoi të futej në paligjshmëri. Për injorance, për padie, për ligësi, apo për kontroll, ai tentoi të ndryshonte ligjin për Policinë e Shtetit për të bërë të mundur rekrutimin paralel dhe pa arsimim policor të stafit nga Forcat e Armatosura.

Qartësisht në shkelje të Kushtetutës dhe të normave demokratike. Frymës së arrogancës, militantizmit dhe dhunës, Sander Lleshi i shtoi edhe taktikat ushtarake. Dhuna ndaj protestuesve dhe përdorimi i lëndëve kimike-ushtarake kundër protestuesve gjatë pranverës së protestave opozitare, vetëm sa shtuan më tej frymën dhe kulturën e dhunës në radhët e Policisë së Shtetit.

Përdorimi i forcave ushtarake në rastin e ndërhyrjes policore në Lazarat, nxjerrja e autoblindave të Armatosura të Ushtrisë në rrugët e Tiranës gjate pranverës së pandemisë, dhe me gjasë (megjithëse e pakonfirmuar) përdorimi i forcave komando të ushtrisë në dhunën e ushtruar gjatë prishjes së Teatrit Kombëtar tregojnë se fryma e dhunës nuk është e kufizuar vetëm në Policinë e Shtetit.

Ajo vjen nga lart.

Vjen nga ai që kontrollon edhe Ministrinë e Brendshme edhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Dhuna shtetërore ka vetëm një emër, atë të Edi Ramës.

Pak rëndësi ka se kush e tërheq këmbëzën.