VIDEO/ 3 raste të dyshimta, te Bylisi kanë pretendime

Bylisi u mposht nga Kukësi me rezultatin 0-3 në ndeshjen e javës së 7-të në Kategorinë Superiore. Megjithatë te klubi ballshiot ndihen të vjedhur nga arbitri, për mënyrën se si ai e gjykoi ndeshjen. Bylis-Kukësi u gjykua nga Blerim Ziri, takim i cili pati disa raste për moviolë, ku del se arbitrat kanë gabuar. Për këtë kanë reaguar edhe te klubi ballshiot, që kanë postuar një video me gabimet e arbitrit në ndeshjen.

Në minutën e 3-të Bylisi pretendon për një prekje të topit me dorë. Ndreca gjuan një goditje dënimi, por topi ndalet në dorën e Limajt, që i ndodhur brenda zonës mundohet të rrotullohet që të shmangë kontaktin. Arbitri vijon lojën, por ka gabuar dhe kemi penallti të mohuar për Bylisin. Në minutën e 6-të nga një gjuajtje e fortë në zonë, Tafa nuk e largon topin që i ikën nga këmba. Vjen Mehmetllari i cili prek topin, por pengohet nga Tafa. Gjyqtari vijon lojën, por pamjet televizive tregojnë se Ziri ka gabuar. Penallti e mohuar për vendësit.

45+3’ Ibraimi driblon Jankun, që nisur edhe nga terreni i rënduar, i ndërhyn keq në zonë, por gjyqtari nuk akordon penallti. Rast që mund të akordohej penallti. I dyshimtë mbetet pozicioni pasi kontakti mund të ishte edhe jashtë zonës, por që pamjet nuk e tregojnë saktë.

87’ Kontakt mes Kardozos dhe Kotobellit që nis jashtë zonës dhe vazhdon e sapo lojtari i Kukësit bie në zonë, akordohet penallti. Rast i dyshimtë, pasi kontakti nisi jashtë zonës, ndaj mund të mos jepej.