Vrasja e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut/ Policia: Plaurent Dervishaj u arrestua në Abu Dhabi

Plaurent Dervishaj, kunati i Lul Berishës, i shpallur në kërkim nga SPAK për vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut në vitin 2005, është arrestuar në Abu Dhabi. Lajmin e koa konfirmuar edhe policia.

Ai cilësohet një nga personat kryesorë që organizoi vrasjen e Klodian Saliut dhe e ekzekutoi atë së bashku me bashkëpunëtorin e drejtësisë, Luftar Reçin dhe me Indrit Taullain, i arrestuar pak ditë më parë në Prizren.

Po ashtu, Prokuroria e Posaçme për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin thotë se ai ka qenë pjesëmarrës në organizimin e vrasjes së biznesmeni Vajdin Lame, i cili humbi jetën nga një shpërthim tritoli në ashensorin e pallatit ku banonte, së bashku me mikun e tij Artan Arsi.

Dëshmia e Luftar Reçit ka vënë nën akuzë edhe Lulzim Berishën, i cili dyshohet se ndodhet në Gjermani.

NJOFTIMI ZYRTAR

Vijon operacioni policor i koduar "Asgjë nuk harrohet", i zhvilluar nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Forcat Speciale Renea, Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës e Vlorë, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Kukës dhe Interpol Tirana, nën drejtimin e SPAK-ut, si rezultat i të cilit u zbardhën dhe u dokumentuan dy vrasje të ndodhura në vitin 2005.

Vijimi i operacionit për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar  në kuadër të operacionit është koordinuar nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. 

Falë shkëmbimit të informacioneve të siguruara nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, për vendndodhjen e një prej personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar gjatë operacionit policor "Asgjë nuk harrohet", koordinimit të veprimeve mes Interpol Tiranës dhe homologëve, u bë i mundur lokalizimi i vendndodhjes, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

Plaurent Dervishaj, 48 vjeç, banues në Durrës.

Arrestimi i tij është bërë nga homologët e Interpol ABU DHABI (Emiratet e Bashkuara Arabe), pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar nga ana e ZQK Interpol Tiranës, mbi urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bazë të shkëmbimit të informacionit me Policinë e Shtetit, ku pas verifikimeve ligjore rezultoi se personi i kapur është Plaurent Dervishaj.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, mbi bazën e vendimit të datës 02.12.2020 nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, e cila ka vendosur caktimin e masës së sigurimit ‘’Arrest në burg’’ për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, "Mbajtja e paligjshme e armëve të zjarrit me pasoja të rënda", "Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Vrasja në rrethana të tjera specifike ndaj dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”.

Nga ana e ZQK Interpol Tiranës, agjencive të tjera ligjzbatuese dhe zyrës homologe do të vijojnë procedurat e mëtejshme për ekstradimin e tij drejt vendit tonë.