Edi Rama në kërkim të kostumit të opozitarit

Duke larguar Sandër Lleshajn për t’i shpëtuar përgjegjësisë direkte që ai ka në shndërrimin e policisë në një organizatë terroriste, Edi Rama i hoqi tubat një të sëmuri terminal që kishte kaluar në vdekje klinike që në shtator, kur u përjashtua nga karriera politike në Partinë Socialiste.

Orvatja e Ramës për të blerë një kompromis me shqiptarët me një kufomë politike është një punë djallëzore. Jo se ministrat e tjerë të tij janë diç më shumë se Sandër Lleshaj, por se për këtë të fundit dihej se qëndronte aty vetëm për t’i shërbyer Ramës dhe pushtetit të tij me aktin e ikjes. Sepse në stilin politik të Edi Ramës ti je vartës i tij vetëm se je i gatshëm t’ia falësh atij qenien dhe mosqenien tënde.

Thënë këtë, ikja e Sandër Lleshajt ishte një punë e kotë dhe që nuk e zgjidh aspak krizën. Jo për faj të tij, as për shkak se çështja është më e madhe se pesha qesharake e një butoni politik të Ramës, por për shkak se situata ka arritur pikën e absurdit dhe absurdi nuk ka zgjidhje, por vetëm fund. Dhe ka një fund tragjik, përfundon me vetëvrasje.

Edi Rama e ka sjellë Shqipërinë në një qorrsokak të paprovuar më parë. Qeverisja e tij ka qenë një operacion i ngadaltë dhe i kontrolluar i asgjësimit të çdo instrumenti demokratik, i paaftësimit të shoqërisë për t’u përtërirë dhe mbijetuar dhe i rrënimit ekonomik të gjithëmbarshëm.

E mbetur pa gjykata, pa parlament, pa media, pa shoqëri civile dhe pa vëmendje nga ndërkombëtarët, republika është shndërruar në një kamzhik inatçor dhe epsharak të Ramës dhe orvatjes së tij për të zbutur ankthin e vdekjes përmes dinamizmit të pushtetit. Që situata është pa zgjidhje reale, këtë e provojnë shanset e pakta që dorëheqja e Ramës dhe qeverisë së tij të qetësojë trazirën civile. Këto shanse të ulëta lidhen me shkaqet e kësaj trazire.

Rënia e qeverisë së keqe të Ramës do të zëvendësohej, brenda mundësive juridike ekzistuese, me një qeveri fasadë që vetëm sa do t’i fshihte plagët e vërteta që kanë shkaktuar 7 vitet e Ramës në pushtet.

Nga ana tjetër, kjo do t’i hiqte Ramës skeptrin formal të pushtetit dhe do t’i vishte çizmet e opozitarit, që ai përpiqet t’i vjedhë sa herë që i duhet të shmangë përgjegjësinë për mjerimin dhe rrënimin e pandalshëm të ekonomisë, shëndetësisë, arsimit apo edhe demografisë.

Është e qartë se Ramës i intereson shumë që të shkojë në zgjedhjet e ardhshme me pushtet por pa përgjegjësi. Pushtetin ai e kontrollon tashmë përmes një sistemi okult dhe informal të parasë, shantazhit dhe krimit të organizuar.

Gjykatësit dhe prokurorët e vetuar janë në shumicë njerëz të emëruar prej tij, ndërsa ata që nuk e kanë marrë akoma firmën e pastërtisë janë të shantazhueshëm nga satra e vettingut, të cilën e kontrollon plotësisht kryeministri. Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor i sigurojnë atij një kontroll të frikshëm mbi zgjedhjet, shtuar infrastrukturës mafioze dhe financiare që ka ngritur prej vitesh dhe e përdor në çdo process zgjedhor.

Oligarkia dhe media janë fund e krye nën pushtetin e kontratave publike afatgjata të quajtura PPP, ndërsa shoqëria civile është inekzistente, siç u provua edhe me vrasjen e Klodian Rashës. Prandaj, Edi Rama është i interesuar sa më s’ka që në zgjedhjet e ardhshme të shkojë si opozitar. Një qeveri e drejtuar nga një socialist gojëqepur si Pandeli Majko do t’i vinte buzëkuq bishës totalitare të Rilindjes.

Shqiptarët mund të harrojnë shpejt dhe të relaksohen nga komedizmi cinik i makinerisë propagandistike të Partisë Socialiste. Timoni dhe tepsia që ai mori i vetëm në vitin 2017 janë bërë një barrë e rëndë për të në sytë e shqiptarëve.

Ekonomia ka kapitulluar, sepse hyri e sëmurë rëndë në pandemi. Qeveria nuk bëri asnjë përpjekje serioze për ta mbajtur gjallë konsumin dhe tregëtinë.

Kriza shëndetësore që shkaktoi pandemia nxori zbuluar shëndetësinë primitive të cilës iu pre edhe buxheti me kontratat PPP në këtë sektor.

Varfëria është thelluar. Me mbylljen e kufijve të Europës, rinisë i është mbyllur edhe dera e emigrimit. Për këtë gjendje katastrofike, sigurisht që shqiptarët do t’i kërkojnë llogari vetëm Edi Ramës.

Nga zyra e kryeministrit ai do ta ketë të vështirë të justifikohet. Propaganda nuk duket se funksionon më. Tallja me opozitën dhe droga e komedizmit është diskredituar. Mbreti shfaqet më lakuriq se kurrë më parë.

Nga ana tjetër, pozita e Lulzim Bashës duket shumë më e fortë sot. Akuzat ndaj tij janë konsumuar shumë. Partia Demokratike tregoi shenja të forta jete me procesin e brendshëm të përzgjedhjes së kandidatëve. Prej më shumë se një viti lideri i opozitës e ka mbajtur Ramën nën presionin e pandalshëm të një modeli qeverisës më bujar dhe më të lidhur me mikroekonominë familjare dhe të distancuar e deri diku armiqësor ndaj oligarkisë.

Raportet e Bashës me ndërkombëtarët janë shumë më të relaksuara. Në disa kancelari europiane ai është dukshëm kontakti më i preferuar me Tiranën. Rama nuk mund ta durojë këtë disavantazh të dukshëm karshi Bashës. Me çelësat e gjithë pushteteve në xhep, ai mund të ndërrojë me kënaqësi zyrën prej nga do të drejtojë luftën për të mbajtur pushtetin. Për të arritur këtë ai është i gatshëm që të zhvendoset në rresht të dytë të fushatës, duke vënë përpara për t’i hapur rrugën personazhe jopartiakë me reputacion në publik.

Lutja e tij e dëshpëruar, në këto ditë të ftohta sondazhesh trishtuese për të duket se është lutja për pak opozitarizëm: “Pak opozitarizëm, o shok, o vëlla!”.