Revoltohet mësuesi i letërsisë: Po protestoja, më dhunoi një polic civil

Mësuesi i gjuhë-letërsisë në qytetin e Durrësit, Gëzim Hidershai mori pjesë në protestën e ditës së djeshme dhe përfundoi në komisariat, ku nuk mungoi dhuna policore. Ai ka folur për Fax News duke zbuluar se një prej policëve civilë, të cilët i quan “majmunë”, e qëlluan pa pikë turpi në fytyrë.

Mësuesi deklaroi se është kundër dhunës policore dhe i bëri thirrje të gjithë të rinjve që të ngrihen e të mos kenë frikë nga përballja me ata që i cilëson ‘kriminelë’.

“Më kanë arrestuar në orën 8. Unë jam mësues, mbarova mësimin në orën 6 dhe më pas dolëm në Durrës sepse jam kundër dhunës policore. Kjo dhunë policore po merr në qafë të gjithë rininë shqiptare dhe unë nuk kam frikë ta them dhe nuk kam frikë që jam këtu. Biles një polic i shëmtuar, edhe si fytyrë, edhe si njeri. Unë jam 55 vjeç, jam mësues prej 30 vitesh dhe të më qëllojë mua një fytyrë majmun.

Më qëlloi me pëllëmbë pa pikën e turpit. Gjysmën e policave i njoh se pi kafe këtu, kam dhe shtëpinë këtu afër. Të gjithë më thonë ‘profesor’ dhe ai më qëlloi dy herë pa pikën e turpit. Dhe unë i bëj thirrje të gjithë rinisë që të cohet, të mos ketë frikë fare. Këta janë kriminelë. Kjo qeveri është krim nga koka tek këmbët. Kam filluar punë në ’87-ën, jo sot. Jam mësues gjuhe.

Do ta gjej atë që kush është, është një nga këta civilët që janë kriminelë të Rilindjes. Është gjynah t'i quash Rilindje sepse unë Rilindje quaj Naimin, Çajupin, kurse këta janë majmunë, jo rilindas”, tha Hidershai.