Vdes 63-vjeçari që u rrah barbarisht në lokal në Ishëm

Dervish Kalaja, i cili u përfshi në një sherr disa ditë më parë në një lokal në zonën e Ishmit, ku u godit me sende të forta dhe u rrah barbarisht, ka ndërruar jetë pak ditë pas ngjarjes.

Panorama bën me dije se 63-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme në spitalin Ushtarak në Tiranë.

Mësohet se viktima ishte duke pirë në lokal me një shok të tij, me të cilin ka debatuar dhe kjo u bë shkak për nisjen e konfliktit. Gjatë sherrit ata kanë thyer disa objekte në lokal dhe për këtë. ka ndërhyrë pronari dhe kusherinjtë e tij të cilët e kanë rrahur keq Dervish Kalanë.

Njoftimi i policisë ditën që ndodhi ngjarja:

Ishëm,Durrës. - Goditën me mjete të forta dhe mjete prerëse 3 shtetas, arrestohen në flagrancë 3 autorët e dyshuar të ngjarjes.

Arrestohet dhe pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja. Gjobitet edhe me masë administrative, pasi nuk respektoi orarin për mbylljen e aktivitetit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, shtetasit:

A. K., 36 vjeç, Xh. K., 21 vjeç, banues në Ishëm dhe R.(G). A., 34 vjeç, banues në Sukth.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit Sh. I., dyshohet se kanë goditur me mjete të forta shtetasit D.(P). K., 55 vjeç dhe S. A., 62 vjeç, ndërsa shtetasi R.(G). A. ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin E. K., 33 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Sh. I., 31 vjeç, banues në Ishëm (pronari i lokalit ku ka ndodhur ngjarja), për veprën penale “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka njoftuar Policinë për konfliktin e ndodhur në ambientet e lokalit të tij. Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë i është vendosur masë administrative 1.000.000 lekë, pasi nuk ka respektuar orarin e vendosur për mbylljen e aktivitetit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.