Vrasja e Klodianit/ Basha: Informova ndërkombëtarët, kërkova hetim transparent

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar ditën e sotme biseda me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, ku i ka njohur me zhvillimet e fundit në vend.

Basha ka ndarë me ta thirrjen për një hetim transparent për vrasjen nga policia të Klodian Rashës, si edhe zbardhjen e tentativave për manipulimin e ngjarjes.

‘Sot kam patur disa biseda me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar lidhur me zhvillimet e fundit. Ndava thirrjen për një hetim transparent dhe drejtësi për vrasjen e Klodjan Rashës, si dhe zbardhjen e përpjekjeve për manipulimin e ngjarjes dhe vënien e përgjegjësve para ligjit.

Dënova gjuhën e urrejtjes të përdorur nga kryeministri, si dhe brutalitetin dhe dhunën e policisë ndaj minorenëve dhe gazetarëve.

Përsëris thirrjen për të ndalur brutalitetin e policisë dhe për të garantuar të drejtën e protestuesve për të protestuar të lirë dhe paqësisht.

Me 25 Prill ne do ta largojmë këtë qeveri dhe do të sjellim shpresë dhe ndryshim për Shqipërinë.’