'Pas vrasjes makabre të Klodianit, duhet dorëheqje e menjëhershme e të gjithë institucionit'

Vrasja e të riut Klodian Rasha nga një efektiv policia ka ngjallur reagimin e shumë personazheve të njohura në vend.

Në një lidhje direkt me Skype në emisionin “Rudina” ka qenë Edlira Çepani drejtuese e rrjetit të grave “Barazi në Vendimmarrje” dhe moderatori Bledi Strakosha që kanë folur për ngjarjen e rëndë.

Ata shprehen se kjo është një vrasje makabër dhe i gjithë institucioni përkatës duhet të japë dorëheqjen dhe jo thjesht individi sepse policët nuk janë individë, por në momentin që veshin uniformën, ata janë një institucion.

Edlira Çepani: Është një vrasje makabre për të cilën ne si shoqëri civile dhe ne si qytetarë kërkojmë patjetër të bëhet drejtësi dhe të ketë dorëheqje të menjëhershme të të gjithë institucionit dhe jo vetëm individuale por edhe institucionale sepse duhet të kuptojmë se policët nuk janë individë, në momentin që veshin uniformën ata janë një institucion dhe përgjegjësia është e institucionit dhe drejtuesit të tij. Kjo ka qenë një nga kërkesat e protestës së djeshme, përveç faktit që u ngrit zëri që sot veçanërisht në ditën e të drejtave të njeriut, ne nuk e kemi më sigurinë për jetën sepse pa asnjë lloj problem mund të na vrasin duke vrapuar me kurriz nga mbrapa me dy plumba kushdo prej nesh të jetë.

 

Rudina Magjistari: Bledi Strakosha do doja të dija se cili është komenti jot për ëktë ngjarje?

 

Bledi Strakosha: Për mua ishte një gjendje tronditëse. Ngjarja është në hetim dhe unë nuk do guxoja të thoja të japë dorëheqjen x apo y sepse nuk i njoh strukturat dhe nuk dua ta bëj këtë gjë sepse më duket e padrejtë. Por nëse do isha unë drejtori i policisë apo i ndonjë institucioni përkatës e cila edhe pse nuk është e lidhur drejtpërdrejt me ngjarjen, ka përgjegjësi të veta, unë moralisht do jepja dorëheqjen, por nuk e di ta them se si funksionon piramida sepse nuk e njoh strukturën. Ngjarja është jashtëzakonisht e rëndë kudo që të ndodhte, për më tepër që bëhet fjalë për një 25-vjeçar dhe secili prej nesh mund të ishte ky djalë. Dje në protestë mua më pëlqeu shumë që shqiptarët  u bënë bashkë për të protestuar për diçka që ndoshta nuk i lidh drejtpërdrejtë asnjë interes, ndoshta asnjë politikë dhe unë inkurajoj që protestat të vazhdojnë por të jenë paqësore.

 

Rudina Magjistari: Çfarë do ishte drejtësia në këtë rast?

 

Bledi Strakosha: Dënimi i policit, ndër të tjera, unë problemin nuk e shoh tek individi, tek polici që ka qëlluar, unë e shoh tek strukturat, si trajnohen këta policë. Qasja arrogante e këtyre policëve ndaj qytetarëve është e papranueshme. Unë vetë kam qenë prezent në disa raste kur më kanë ndaluar dhe mënyra se si të drejtohen, nuk kanë edukatë, qytetari dhe të marrin të mirëqenë që ti je një kriminel që ka ndaluar në rrugë. Ne po vrasim njëri-tjetrin dhe kjo nuk bën sens Rudina. /tvklan.al