Rama: Sandër Lleshaj më ka dorëzuar dorëheqjen

Edi Rama është shprehur se Sandër Lleshaj i ka dorëzuar dorëheqjen e tij.

‘Ministri i Brendshëm më informoi dhe më dorëzoi dorëheqjen e tij. Por unë i thashë që kur të vij në Tiranë, dua të shikohemi sy më sy. Edhe sot jemi takuar’, tha Rama duke mos qartësuar nëse ai e kishte pranuar dorëheqjen e Lleshajt apo jo.

‘Ministri i Brendshëm më ka vënë në dispozicion dorëheqjen e tij duke më shpjeguar se ishte rruga e duhur për mua që i kam besuar atë detyrë, për qeverinë dhe shumicën tonë qeverisëse.

I kam thënë pres të kthehem se kam dashur ta shoh në sy, ta dëgjoj dhe të më dëgjojë në momentin e hedhjes së këtij akti të rëndësishëm. Jemi takuar dhe sot dhe jam shumë krenar për sensin e përgjegjshmërisë qytetare dhe kuotën morale me të cilën e mat veten dhe detyrën e tij Sandër Lleshaj.

Sot do ta mësojnë të gjithë ata që duan ta besojnë tek akti se në këtë vend, nuk janë të gjithë njësoj, as politikanët nuk janë njësoj. Ai nuk ka asnjë lidhje me aktin e rëndë të efektivit të policisë, por është vrarë një 25-vjecar dhe është hapur një varr. Është hapur një brengë në shpirtin e një populli të tërë’, tha Rama.