Ndarja nga jeta e legjendës Paolo Rossi/ Duka dërgon letër ngushëllimi në Itali

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka shpërndarë në rrjetet sociale një mesazh ngushëllimi në nder të legjendës italiane, Paolo Rossi.

Duka i ka dërguar një letër emocionuese homologut të tij, pikërisht kreut të Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina.

Paolo Rossi ndërroi jetë në moshën 64-vjeçare nga një tumor në mushkëri.

“Me trishtim mësova lajmin tronditës të ndarjes nga jeta të Paolo Rosit, një ish-futbollist i shkëlqyer i klasit botëror dhe një idhull për shumë breza. Ai ishte një burim frymëzimi për shumë shqiptarë gjatë periudhës së vështira të komunizmit përmes emocioneve dhe gëzimit që na dhuroi në finalet e Botërorit 1982. Sot futbolli humbi një tjetër emër të madh dhe Paolo meriton një vend të veçantë në hollin e famës të historisë së futbollit. Në emër edhe të Federatës Shqiptare të Futbollit dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Rosi, Federatës Italiane të Futbollit dhe komunitetit italian të futbollit”, – shkruan presidenti Duka në telegramin e ngushëllimit dërguar Federatës Italiane të Futbollit.