Fallxhorja bind 35 vjeçaren se ‘do ti ndryshonte’ fatin, i mori rreth 12 mijë euro

Një 56-vjeçare me iniciale A.SH po hetohet në gjendje të lirë pasi akuzohet se përmes mashtrimit i ka marrë 11 mijë e 700 euro një 35-vjeçareje duke i premtuar se do i ndryshonte fatin. Ndaj saj tashmë rëndon akuza për veprën penale “Mashtrimi” ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme. Në pranga janë vënë edhe tre persona të tjerë për vepra të ndryshme penale.

“Kapen dhe ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar. Arrestohen në flagrancë 4 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Procedohet penalisht dhe një shtetase, për veprën penale “Mashtrimi”.  Në vijim të punës për kapjen e personave të kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi 2 shtetasve, konkretisht:

Nga specialistët e Seksionit e Krimit Ekonomik-Financiar u bë ekzekutimi i vendimit penal për shtetasin në kërkim Lorian Mazari, 43 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës Parë Tiranë e ka dënuar me 3 vjet burg, për veprën penale “Mashtrimi”.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë ekzekutimi i urdhrit të prokurorit, për shtetasin në kërkim I. T., 46 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me dy muaj burg, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. B., 42 vjeç, pasi punonjësit e forcës së posaçme “Shigjetat” e kanë kapur duke tentuar të vjedhë në garazhin në pronësi të shtetases E. Zh., në bulevardin “Bajram Curri”.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit T. Xh., 38 vjeç, pasi  në rrugën “Lord Bajron”, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesë u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde kanabis.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. A., 42 vjeç, pasi në Astir, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe ndaj vajzës së tij të mitur, të cilave iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. R., 45 vjeç, pasi në Rrugën e Dibrës, u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur në masën 0.98 mg/l.

Specialistët për Hetimin e Krimit në  Komisariatin e Policisë Nr.2., proceduan në gjendje të lirë shtetasen A. Sh., 56 vjeçe, sepse gjatë periudhës tetor-nëntor të vitit 2020, nëpërmjet mashtrimit (në rolin e fallxhores), i ka përvetësuar shumën 11 mijë e 700 euro, shtetases Z. H., 35 vjeçe. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.