VIDEO Për nder armë! Kalon Papa Françesku

Në ditën e Zojës së Papërlyer, Papa Françesku përshëndeti befasisht ushtarët, që kontrollojnë sigurinë e Shtetit të Vatikanit Kjo qe surprizë!

Papa Françesku jo vetëm që shkoi në mëngjes herët për të nderuar Zojën e Papërlyer në Sheshin e Spanjës, pa i thënë dje askujt, por edhe e përfundoi ditën e festës me një tjetër gjest, jashtë programit, njoftoi Radio Vatikani. 

Ndërsa kthehej në Vatikan, pasi kishte shkuar në Sheshin e Spanjës, në bazilikën e Zojës së Madhe e në Sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë e ndali makinën para postbllokut, ku shërbejnë ushtarët italianë, që kujdesen për sigurinë e Shtetit të Vatikanit. I përkasin regjimentit me traditë të shtizëmbajtësve apo heshtarëve të Montebellos, pavarësisht se në kohën e sotme arma e tyre nuk është heshta, natyrisht.

Papa zbriti nga makina dhe përshëndeti, një nga një, ushtarët dhe oficerët. Pasi i falënderoi për shërbimin e tyre, Ati i Shenjtë u la një dhuratë.

I dukshëm, emocioni i ushtarëve, që nuk e prisnin gjestin plot dashuri të Papës Françesku. Ata kryejnë një shërbim të vështirë e me përgjegjësi, 24 orë në ditë, në diell e në shi, në të nxehtë e në të ftohtë, në mbrojtje të hyrjeve në Vatikan.