I iku jeta një 25-vjeçari, ne kemi mbetur me frikë gjer në palcë të ngremë zërin!

Nga Jonila Godole.

Për 30 mijë lekë të vjetra gjobë që do të merrte, i iku jeta një 25-vjeçari. Një akt i paprecedentë, që nuk mund të justifikohet pas arsyesh qesharake, jo - “u duk sikur kishte armë”|, jo - “ndriçimi ishte i pamjaftueshëm”.

Ndjekja urgjente penale e trupës në shërbim është më e pakta që duhej bërë. Sot iu mor jeta Kodianit, nesër do të na ndodhë mua, ty, atij tjetrit.

As në komunizëm nuk vritej njeri cepave të rrugëve, po i sajohej një proces paçavure me dëshmitarë të rremë. Kurse sot Policia e gjasme shtetit demokratik, del e vret për thyerje karantine e për mosvënie maske! Pa bërë fushata komunikimi dhe ndërgjegjësimi, por vetëm burg, terror kolektiv, presion dhe vrasje.

Megjithatë kjo vrasje si dhe shumë të tjera janë pasoja dhe jo shkaku, i funksionimit defektoz të një shteti që në qëndër nuk ka garantimin e jetës, të drejtave dhe prosperitetit të qytetarëve, por rritjen e pushtetit personal të “nomenklaturës” së re përmes korrupsionit, nepotizmit dhe krimit. Dhe situata me gjasë do të përkeqësohet.

Ne vazhdojmë të heshtim për kulturën e pandëshkueshmërisë që u instalua në Shqipëri pas 1990-ës kur nuk u dënuan krimet ndaj shqiptarëve për 45 vjet diktaturë. Dhe e njëjta praktikë vazhdon me krimet e kryera nga 1990-a e deri sot.

Kemi mbetur një shoqëri e përçarë si dikur nga lufta e klasave , e mpirë plotësisht në gjykimin ndaj së mirës dhe së keqes, e brejtur moralisht nga trushpëlarja e komunizmit, e verbuar aktualisht nga propaganda digjitale, me frikë gjer në palcë të ngremë zërin ndaj dhunimit të përditshëm dhe ia dalim të bashkohemi vetëm në kauza padrejtësie individuale, vrasje a përdhunime. Nuk mjafton!

 

 

55