Vrasja e Klodian Rashës nga policia/ Sot priten dy protesta në Tiranë

Një marshim protestë është paralajmëruar të zhvillohet sot në orën 11:00 dhe një tjetër në 16:00 lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi dje, kur policia qëlloi me armë zjarri për vdekje 25-vjeçarin Klodian Rasha.

Forumi Rinor i Partisë Demokratike në një deklaratë për media bën me dije: “Në orën 11.00 të rinjtë demokratë nisin tek Ministria e Brendshme një marshim protestë për ekzekutimin nga policia të të riut Klodian Rasha. Itinerari i marshimit do të jetë Ministria e Brendshme-Bulevard-Kryeministri”.

Dje dhe sot ka pasur qindra reagime në rrjetet sociale ku thuhet: “Qytetarët po organizohen përmes rrjeteve sociale për të protestuar nesër në orën 16.00 përpara ministrisë së krimit që bëri gjithçka për të manipuluar këtë vrasje shtetërore duke u bërë palë me vrasësin. Thirrja qytetare kërkon angazhim të gjithë shoqërisë në protestë në orën 16.00 para ministrisë së krimit”.

Dje, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) nga hetimet paraprake doli në përfundimet se veprimet e punonjësit të policisë N.H. bien në kundërshtim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Babai i të ndjerit ka përsëritur edhe një herë sot apelin se duhet të vendoset drejtësi për vrasjen e të birit para derës së shtëpisë.