Revolta: Vendet e pasura kanë grumbulluar shumicën e vaksinave

Vendet e pasura po grumbullojnë në mënyrë të tepruar vaksinat kundër koronavirusit.

Kështu deklaroi Aleanca Popullore për Vaksinën. Sipas tyre, thuajse 70 vende të botës do jenë në gjendje të vaksinojnë vetëm 1 në 10 persona.

Aleanca Popullore për Vaksinën, një rrjet i përbërë nga organizata të njohura si Amnesty International, Oxfam dhe Global Justice thotë se kompanitë e ilaçeve duhet të shpërndajnë teknologjinë në mënyrë që të prodhohen sa më shumë doza.

Sipas të dhënave, vendet e pasura kanë blerë mjaftueshëm doza sa për të vaksinuar popullsinë e tyre tre herë.

Për shembull, Kanadaja ka porositur mjaftueshëm doza sa për të mbrojtur çdo kanadez pesë herë.

Edhe pse vendet e pasura përbëjnë 14 përqind të popullsisë, ato kanë blerë mbi 53 përqind të vaksinave premtuese.

Deri më tani, prodhuesit e vaksinës së Oksfordit janë zotuar se do e shpërndajnë atë për vendet në zhvillim. Megjithatë bëhet fjalë për 700 milionë doza, të pamjaftueshme për pjesën e pazhvilluar të planetit.

Britania u bë dje vendi i parë që nis procesin e vaksinimit. Sipas Daily Mail, kjo ka shkaktuar xhelozi te vendet e tjera.