Obstetrja-gjinekologe humbi jetën/ Dedikimi i pedagoges: Më mësove të jetoj si nënë …..

Humbja e jetës së mjekes obstetre-gjinekologe, Suela Muça, ka tronditur më së tepërmi edhe miqtë e saj.

Dhurata Shehri, pegagoge në Fakultetin Histori-Filologji kujton vitet që kanë qëndruar pranë dhe Suela ishte e para që priti fëmijën e saj dhe i mësoi si të jetonte jetën edhe me vuajtje.

Shehri tregon se ishin tre vajza që ecnin gjithmonë bashkë ndërsa shton se “në krahun e djathtë askush nuk do të ta zerë vendin, për atë copë rrugë që bëmë bashkë dhe për atë rrugë që më pret deri sa të takohemi sërish.”

‘Për Suelën… ca fjalë që nuk mund të t’i thoja më parë

Vjen dita kur mendojmë se jemi plakur mjaftueshëm për ta përballuar vdekjen, sidomos pasi ajo fillon e afrohet te prindërit, te të afërmit, rrethi vjen e ngushtohet aq sa vdekja merr trajta e fytyra të dashura që kthehen papritur në fotografi e copa kujtimesh, në copa jete të ngurta, pa të ardhme.

Me Suelën ka vite e për vite me rradhë ndamë netët pa gjumë, sekretet e para të dashurisë, notat dhe prapësitë, zënkat dhe pajtimet, shpresat e zgënjimet, lotët dhe ëndërrimet, sidomos ëndrrat i jetuam bashkë një copë herë, ti gjithmonë me pak fjalë, sa dukej sikur doje t’i ruaje për vete, sikur kishe frikë të ëndërroje me zë të lartë

Suela, që priti e para fëmijën tim, që më mësoi se sa pak lumturi ka njeriu në jetë deri sa bëhet nënë, ma dhuroi lumturinë më të madhe, por nuk më mësoi si ta përballoj edhe këtë, largimin e saj, megjithëse u përpoqe shumë Suelë. Ti më dhe paqen për ta jetuar jetën edhe me vuajtje, ndonëse kurrë nuk më tregove sa vuaje.

Jetove fort, deshe fort, të deshëm e të duam fort.

Ne ishim tre, përherë tre, Entela anash, Suela në mes, unë në krahun tjetër, rreshtim i përhershëm dhe, ngado ta nisje numërimin Suela në mes, në mes për të na mbajtur të dyjave, me zërin e ulët që mund ta dëgjonim të dyja, në mes, për ta mbrojtur. Po ja që nuk ia dolëm, Suelë. Për tridhjetë e sa vite u përpoqe të na mësoje si të jemi të forta me butësinë tënde, por kurrë nuk e besova, deri dje, që filli u këputka edhe aty ku është më i fortë.

Mirupafshim Suelë, do të të kujtoj sa herë të jem duke ecur. Në krahun e djathtë askush nuk do të ta zerë vendin, për atë copë rrugë që bëmë bashkë dhe për atë rrugë që më pret deri sa të takohemi sërish. Gjithsesi ne jemi prap tre…