Misteri i vrasjes së 25 vjeçarit në Laprakë, u ekzekutua se i iku gjobës me vrap?!

25-vjeçari Klodian Rasha, banues në Laprakë, u qëllua për vdekje nga patrulla e policisë gjatë ndjekjes, orët e para të mëngjesit të kësaj të marte. 

I riu ka marrë dy plumba, njërin në shpatull dhe tjetrin në kokë i cili edhe ka rezultuar fatal. Familjarët reagojnë të revoltuar duke akuzuar policinë për vrasje me dashje. Ata pohojnë se i riu nuk mbante armë zjarri, duke rrëzuar pistën e policisë se pranë trupit të të riut është gjetur një pistoletë.

MAPO mëson se 25-vjeçari ka qenë në shoqërinë e disa personave të tjerë në një lokal në zonën e Laprakës, deri pas mesnate. Rreth orës 01:30 ai është ngritur nga lokali dhe është drejtuar për në banesën e tij.

Përballja me patrullën

Teksa ecte në këmbë, vetëm disa metra larg shtëpisë, ai ndeshet me një patrullë policie të cilët i kërkojnë të ndalojë, për shkak se kishte thyer orën policore (ndalohet lëvizja pa arsye pas orës 22:00) dhe i kanë kërkuar një dokument identifikimi. I riu mësohet se ka vrapuar për t’i shpëtuar gjobës, ndërsa në ndjekje i është vënë makina e policisë me dy efektivë brenda.

U vra kur po hapte portën e shtëpisë

Por skena tragjike ka ndodhur kur i riu iu afrua derës së shtëpisë. Në momentin kur në nxitim e sipër ka qenë duke hapur portën e jashtme, është qëlluar me armë zjarri nga një prej efektivëve të partullës.

25-vjeçari Klodian Rasha ka mbetur i plagosur rëndë. Me makinën e policisë ai është transportuar drejt spitalit të Traumës me shenja jete, por disa minuta më pas u deklarua i vdekur për shkak të plagës së marrë në kokë.

Policia: Gjetëm një armë zjarri

Policia thotë në njoftimin e saj të parë zyrtar se i riu iu ka drejtuar efektivëve një send që ngjasonte me një armë zjarri dhe ata janë kundërpërgjigjiur. Ndërsa në njoftimin e dytë, Policia e Tiranës thekson se ka gjetur një armë zjarri pistoletë disa metra larg vendit të ngjarjes, por pa sqaruar nëse është gjetur në banesën e viktimës, apo ai e ka hedhur gjatë kohës që po ndiqej nga patrulla.

Misteri

Ngjarja mbart plot dritëhije dhe nevojitet një sqarim i plotë i rrethanave të këtij krimi të rëndë, ku të përfshirë janë uniformat blu. Policia është mjaft kontradiktore në njoftimet që ka përcjellë për mediat. Njëherë thuhet se sendi që mbante në dorë i riu dukej si armë zjarri, ndërsa pretendohet se zona nuk kishte ndriçim. E vërteta në tërren është e kundërta. Rrugica ku ndodhi ngjarja ka ndriçim i mjaftueshëm sipas banorëve për të shquar çdo gjë edhe në distancë. Ndërsa në një reagim të dytë, Policia bën të ditur se kishte gjetur një armë zjarri pistoletë pranë vendit të ngjarjes, duke mossqaruar nëse arma është konstatuar në banesën e të riut, apo ai e ka hedhur atë gjatë kohës që po ndiqej nga uniformat blu.

Familjarët: Klodiani nuk mbante armë, kishte në dorë dy hurma

Të afërmit e të riut rrëzojnë versionin e policisë se 25-vjeçari, Klodian Rasha kishte armë zjarri pistoletë me vete, kur u ndoq nga patrulla. Në një deklaratë për mediat, xhaxhai i Klodian Rashës, Hasan Rasha tha se Klodiani nuk ka patur asgjë me vete në momentin e ngjarjes, e aq më pak armë.

Ai rrëfeu për gazetarët se nipi kishte dale për të pirë kafe. Ai rrëfen se i riu ka pasur në dorë dy hurma dhe asgjë të kundraligjshme.

“Ka dalë me pi kafe. Ka pas dy hurma në dorë që i ka lënë në ballkon. Tani na kanë thënë që përfundimisht është i vdekur. Ka qenë i sëmurë përpara, por sot ka qenë në punë. Çfarë arme mor zotëri?! Babai ka qenë në gjumë dhe ka shku se “më ka kap djalin policia. Nuk dime asgjë. Dimë vetëm që është në morg“, u shpreh ai.