EMRI-FOTO/ Humb jetën ish-drejtoresha e qytezës ‘Studenti’, dedikimet e kolegëve

Një tjetër humbje e rëndë është shënuar në radhët e mësuesve si pasojë e Covid.

Dafina Brokaj, ish-mësuese dhe pedagoge nga qyteti i Vlorës ka humbur jetën në spital, duke mos ia dalë dot të fitojë luftën me Covid.

Brokaj ka qenë edhe ish-drejtoreshë e Qytetit Studenti në Vlorë. Ajo ishte shtruar prej disa ditësh në Tiranë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

E ndjera mësohet se së fundi kishte punuar në shkolla jo publike.

Në një reagim në rrjetet sociale Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Vlorë-Himarë shkruan:

“Respekt e mirënjohje për mësuesen dhe drejtoreshën e palodhur, zonjën DAFINA BROKAJ! Sot covid na shenjoi përsëri me një humbje që dhemb. I paharruar kujtimi i saj dhe u prehtë në paqe!  Një profesioniste e shkëlqyer, model i qytetarisë, kolege e respektuar, nënë vetëmohuese, një grua e fortë dhe e rrallë që i dha këtij qyteti një kontribut mbi 40-vjeçar në fushën e arsimit. Do të na mungojë! Respekte dhe ngushëllime familjes!”