Basha: Duhet t’u japim ndihmë ekonomike njerëzve urgjent!

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, hyri sot në një dyqan në Laprakë që mbartte emrin “market Luli”.  “Zoti Braho, si je? Si i je punët?! – e pyeti kreu i opozitës.

“Punët ja…arkat plot!”, iu përgjigj me humor, pronari i dyqanit, duke treguar frutat e perimet që mbushnin arkat dhe asnjë blerës përreth.  “Çfarë të bëjmë?! Të jemi mirë! Gjendje e vështirë! Ky dyqan mban gjashtë frymë në shtëpi. Janë fuqi punëtore, që ku të punojnë?! Veç me këtë! Të tjerët kanë qenë në punë, në privat…për shkak të krizës etj janë larguar dhe janë pa punë, të gjithë. Kur nuk shet….jemi shumë poshtë, paguajmë taksat një më një. S’del. Në fund të muajit asgjë s’del, veç hamë se s’marrim vesh se i marrim këtu e ço në shtëpi. Arka plot me mollë, kush do ta blejë?!”

“I vetmi vend që problem kemi, përveç krizës, - vuri në dukje Basha pasi e pyeti me hollësi për punën -  është që nuk jepet ndihmë ekonomike për familjet në nevojë. Po nuk i dhe ndihmë ekonomike, ai nuk blen as bukën e gojës.  Na duhet një qeveri që të mendojë për njerëzit, që jep atë ndihmë që jep të paktën Maqedonia a Kosova. Të ndihmojë familjet, me ndihmë ekonomike që të përballojnë konsumin e përditshëm dhe po u rrit konsumi, edhe ju si sipërmarrje do të ndieni një farë përmirësimi. 

Nuk mundet që gjithë paratë e qytetarëve, kur sot kanë më shumë nevojë për ato para, të shkojnë në një drejtim tek 5-6 njerëz ndërkohë që qindra mijë të tjerë nuk sigurojnë dot bukën e përditshme, nuk sigurojnë dot ilaçet. 

Duhet urgjent t’u japim ndihmë ekonomike njerëzve, urgjent t’u japim ndihmë ekonomike; urgjent të ndalet çdo shpenzim tjetër dhe lekët të shkojnë tek njerëzit!” theksoi kreu i opozitës.