Pandemia/ Merkel: Ndihma për bizneset nuk mund të vazhdojë pa mbarim

Gjermania vlerësohet se ka shpenzuar mbi 8 për qind të prodhimit kombëtar për të ndihmuar bizneset dhe qytetarët të kalojnë pasojat e mbylljes nga pandemia. Kancelarja Angela Merkel thotë se financat e shtetit nuk mund të vazhdojnë gjatë ndihmën.

Qeveria gjermane pritet vitin tjetër të marrë hua 180 miliardë euro për të zbutur efektet e pandemisë së Covid-19 në ekonomi.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha të shtunën se ndihma që shteti po mendon t’u japë bizneseve më të prekura nuk mund të zgjatë pambarim.

Ajo shtoi se borxhi po rëndon buxhetin dhe do duhet shlyer duke nisur nga 2023-shi, por pa këtë përkrahje, vendi do të gjendej përpara një situate më të vështirë.

“Qeveria federale, shtetet dhe këshillat duhet të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive që të tejkalojmë pasojat e pandemisë në mënyrën më të mirë të mundshme. Kostot financiare dhe shoqërore do të jenë më të larta, nëse shumë biznese mbyllen së bashku me miliona vende pune.”

Në bazë të planit, kompanitë gjermane do të përfitojnë deri 200 mijë euro në muaj për shpenzimet operative si qiraja, ndërsa të vetëpunësuarit do të ndihmohen me deri 5 mijë euro.

Paketa stimuluese pritet të votohet nga parlamenti në javën në vijim, ndërsa vlerësohet se deri tani vendi ka investuar rreth 8,3 për qind të prodhimit ekonomik për kalimin e pandemisë.

6 miliardë euro të tjera do të shpenzohen për vaksinat dhe medikamentet kundër koronavirusit, dhe për ngritjen e stacioneve të vaksinimit për gjithë popullatën.

Gjermania ka regjistruar mbi 1 milion e gjysmë të infektuar me virusin e ri korona, që u ka marrë jetën gati 19 mijë prej tyre, 255 vdekje të reja vetëm ditën e dielë.

Në këtë valë të dytë të pandemisë, autoritetet raportojnë se ka 40 për qind më shumë pacientë që po marrin kujdes spitalor intensiv dhe 15 për qind më pak staf infermieror krahasuar me valën e parë të pranverës.