VOA: Themeluesi i 'Fax News' nuk e fitoi betejën me koronavirusin

Themeluesi i televizionit informativ shqiptar "Fax News", Kasem Hysenbelliu, u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në një spital të Turqisë ku ai gjendej prej shumë ditësh, i prekur nga koronavirusi.

Në një betejë të gjatë me sëmundjen, zoti Hysenbelliu, nuk ia doli të rezistonte, pasi gjendja e tij shëndetësore erdhi duke u përkeqësuar.

Kasem Hysenbelliu prej vitesh të tëra ishte përfshirë në botën e medias. Fillimisht punoi për një kohë të gjatë administrator i të përditshmes më të madhe shqiptare “Gazeta Panorama”.

Ndërsa më pas, administrator i mediave të tjera të rëndësishme të grupit Hysenbeliu, si News24, BalkanWeb e Gazeta Shqiptare. Prej vitit 2017, kur themeloi televizionin informativ “Fax News”, Kasem Hysenbelliu ishte president i kësaj medie.

Për ndarjen e tij nga jeta, përveç përfaqësuesve të shumtë të botës së mediave që kanë bashkëpunuar me të, gazetarë e analistë, sot shprehën hidhërim, edhe autoritetet më të larta shtetërore e politike të vendit.