Rama në SHBA për të bërë pazar për vaksinën, mashtrim apo propagandë?!

Kryeministri Edi Rama, ndryshe nga herët e tjera që nuk njofton për udhëtimet e tija kur del jashtë Shqipërisë këtë herë si duket edhe “i djegur” pasi është zbuluar nga mediat, shkruan se është nisur drejt Shteteve të Bashkuara, ku do të takohet sipas tij, me prodhues të vaksinës kundër koronavirusit.

“Sigurimi i vaksinës sa më parë është një prioritet i luftës sonë kundër Armikut të Padukshëm dhe s’do lemë gur pa luajtur që vaksina të fillojë të vijë sa më parë në Shqipëri! Kontakti sy më sy me prodhuesit e vaksinës i shërben këtij qëllimi. Rrugës për në Shtetet e Bashkuara”, shkruan Rama në një postim në Twitter.

Në SHBA, janë vetëm dy kompani që kanë deklaruar deri tani rezultate shpresëdhënëse për vaksinën e tyre anti-Covid, Pfizer dhe Moderna. Të dyja kanë kërkuar miratim të shpejtë për shpërndarjen e vaksinave të tyre, por Rama nuk bën të ditur se me kë do të takohet specifikisht.

E ditur është që të dyja këto kompani kanë “kopsitur” shitjen e vaksinës që mund të prodhojnë. Me Bashkimin Europian, SHBA, Britaninë e Madhe dhe me dhjetëra shtete të tjera në sasi më të vogla, por Shqipëria nuk e ka bërë një gjë të tillë në kohën e duhur.

Ditën e djeshme Aksionet e Pfizer ranë, pas raportimit se prodhuesi amerikan i barnave do të përgjysmojë numrin e vaksinave që kishte planifikuar të dërgonte në fillim të vitit, ku shkak janë bërë problemet me zinxhirin e furnizimit.

Tani, Pfizer planifikon të dërgojë 50 milionë vaksina deri në fund të vitit, më pak se 100 milionë që ishin planifikuar të dërgoheshin.

Edhe kompania tjetër prodhuese e vaksinës Moderna ka deklaruar se është gati vetëm për prodhim të limituar, pavarësisht nga kërkesat e shumta. Nga ana tjetër kujtojmë se Këshilli i Europës ka vendosur që vendet e Ballkanit Perëndimor do të përfitojnë nga paketa gjigante e vaksinave, që ka porositur BE.

Tani Edi Rama po shkon vetë personalisht në SHBA, që të bëjë “pazar vaksinash”.

Në mos është një mashtrim për opinionin vendas siç ka bërë gjithmonë me vizitat private dhe për arsye private që ka kryer në SHB edhe më herët, atëherë kem të bëjmë me një akt megaloman, qesharak dhe propagandistik.