Ekzekutimi i Ilir Zelkës në Brazil/ Policia: Ja dyshimet tona

Policia braziliane bëri të ditur se ka sekuestruar disa kamera sigurie në përpjekje për të identifikuar dhe arrestuar motoçiklistin që qëlloi për vdekje shqiptarin Ilir Zelka.

Sipas gazetës Globo, shqiptari u qëllua katër herë në mëngjesin e 1 dhjetorit. Ai ishte në një restorant në një lagje të pasur në San Paolo.

47-vjeçari Ilir Zelka njihej edhe si biznesmen, pasi kishte një kompani të regjistruar në Çeki.

Policia thotë se e ka regjistruar rastin si vrasje. Forcat e rendit thonë se ishte një ekzekutim i pastër, pasi asgjë nuk u vodh prej tij.

Sipas dëshmitarëve, ekzekutori kishte parkuar motorin në një cep dhe u afrua pranë restorantit. Ai mbante të veshur një bluzë të kuqe dhe një helmetë rozë. Shqiptari u qëllua teksa ishte në karrige duke ngrënë. Ai u dërgua në spital, por nuk u mbijetoi plagëve.

Autori e braktisi motoçikletën pak më vonë dhe ndërroi rrobat që të mos njihej, tha policia.

Sipas menaxherit të restorantit, shqiptari kishte dy javë që vinte rregullisht në lokalin e tij. Ai po qëndronte në hotelin Jardins që prej 20 nëntorit.