FOTO/ Ndërtohet stadiumi i Kupës së Botës ‘Katar 2022’, shihni mrekullinë me 40 mijë vende

Kur jemi ende edhe dy vite larg Kupës së Botës “Katar 2022”, vendi organizator ka përfunduar ndërtimin edhe të stadiumit të katërt, inaugurimi i të cilit është vendosur të bëhet pikërisht më 18 dhjetor, që do të jetë edhe data e finales së madhe.

Bëhet fjalë për stadiumin “Al Rayyan”, i cili është ndërtuar në qytetin në kufi me shkretëtirën dhe ka një kapacitet prej 40 mijë vendesh, gjysma e të cilëve do të çmontohen pas Kupës së Botës dhe impianti do të mbetet me rreth 20 mijë ndenjëse.

Në këtë stadium janë parashikuar të luhen 7 ndeshje, gjashtë prej të cilave përballje të fazës së grupeve dhe një e fazës së 1/16-ave, ndërsa më pas stadiumi do të jetë në dispozicion të skuadrës lokale Al Rayyan.

Kupa e Botës “Katar 2022” do të startojë më 21 nëntor të vitit 2022 dhe do të zgjasë deri më 18 dhjetor, teksa për herë të parë kompeticioni më i rëndësishëm i futbollit do të zhvillohet në dimër, për shkak të temperaturave të larta në vendin pritës.