Koka: Nga bllokimi i negociatave në 7 vjet përfiton Edi Rama

Gazetari Bledian Koka, i ftuar në emisionin e Adi Krastës në SYRI TV, komentoi vendimin për të mos hapur negociatat sërish për Shqipërinë.

Sipas tij, Edi Ramës i leverdis që të mos hapen negociatat, pasi jo vetëm do jetë në monitorim më të rreptë, por sepse negociatat do të nisin me kapitujt ku kërkohet një shtet i fortë ligjor dhe ndëshkim i zyrtarëve të lartë të korruptuar.

“Në shtatë vjet, si asnjëherë tjetër, Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap dhe nuk është integruar gjëkundi. Edhe statusi kandidat ishte një bonus që qeveria e kaluar ia la kësaj qeverie.

Kjo është një katastrofë kombëtare, por me benefite të mëdha për Edi Ramën. Nuk ka shanse që Rama të mos e dijë se ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe Reforma Zgjedhore duhen plotësuar.

Kryeministri ka pasur dy qëllime në raport me integrimin: e para ta zhbëjë si nocion të rëndësishëm dhe e ka bërë kaq bajate këtë punën e negociatave, me hapje shampanjash e gjëra, dhe kjo ka qenë e qëllimshme pasi populli e ka humbur pritshmërinë te negociatat.

Kjo qeveri është përballur me kërkesa që edhe vendet me demokraci shumë të brishta do i plotësonin për disa muaj.

Por çelja e negociatave do fillonte me kapitujt 23 dhe 24, që janë presione të drejtpërdrejta që të bëjë më mirë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo qeveri nuk është e interesuar që ta bëjë këtë gjë,” tha Koka.