Zgjerimi me 12 milje/ Greqia ngre postë ushtarake përballë Shqipërisë

"Ministria greke e Mbrojtjes ka ngritur për herë të parë një postë ushtarake në ishullin Gavdos, pika më jugore e Greqisë dhe po planifikon të bëjë të njëjtën gjë edhe në ishullin Othonoi, pika më perëndimore e vendit,: - njofton sot shtypi grek "Greek Reporter".

Sipas tij, "postat ushtarake janë të vogla në përmasa, por ngritja e tyre shihet si një akt simbolik për t’i dhënë siguri popullsisë së zonës dhe për të treguar që Greqia është e vendosur të mbrojë territoret e saj më të largëta".

"Posta ushtarake në Gavdos, me një kapacitet prej nëntë ushtarësh, u krijua në verë në Kepin Tripiti, që është pika më jugore e ishullit dhe e Greqisë, dhe shtrihet në jug të Kretës. Pushteti vendor i Gavdos i dha lejen për ngritjen e saj, duke i siguruar një ndërtesë pranë farit të ishullit.

Raportet thonë se një postë ushtarake me të njëjtën madhësi do të krijohet gjithashtu në Othonoi, pika më perëndimore e Greqisë. Me një sipërfaqe prej 10.8 km katrore, Othonoi është 12 milje detare nga bregu veriperëndimor i Korfuzit dhe shtrihet përballë bregdetit shqiptar.

Vendimi për të krijuar një postë ushtarake, pason njoftimin në gusht të zgjerimit të ujërave territoriale greke në 12 milje detare në detin Jon.

"Greqia po rritet," kështu ka thënë Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe ka shtuarse një projektligj do të depozitohet në parlament që do të specifikojë se ujërat territoriale të vendit nga ishujt më veriorë të Jonit deri në Kepin Tainaro në Peloponez do të zgjaten me 12 milje detare".

Gjeneral Piro Ahmetaj, duke e parashikuar javë më parë, e ka konsideruar si provokim të rëndë një sjellje të tillë nga Greqia.

"Po ta konsiderojmë si lajm të vërtetë, - ka thënë gjenerali, -  që Greqia në momentin e negocimit me RSH për delimitimin e hapësirave ujore planifikon që në një ishull me 400 banorë, përballë një vendi anëtar të NATO-s të vendosë kapacitete ushtarake, atëherë ky do të përbënte një provokim të rëndë, me pasojë përkeqësim e frymës së mirëbesimit reciprok dhe marrëdhënieve mes dy vendeve! E thënë më thjesht do ishte marrëzi!"