Urim xha Llazit për 29 Nëntorin

Xha Llazi hiqet si veteran i luftës. E kam komshi dhe sot i shkova për vizitë. Se 29 nëntori është dita e tij. Ma hapi derën e shoqja, Frosa. Mbështjellë me shall e hedhur mbi shpatulla një pallto të vjetër. Sikur hyra në frigorifer m'u duk. Në kuzhinë xha Llazi veshur e ngjeshur, si plaku i Vitit të Ri.

-Po del?- e pyeta.

-Jo, jo. Por kemi ftohtë ndaj rrimë kështu.

-Po pse nuk ndez kondicionierin?

-Pastaj çfarë të hamë?!

Sinqerisht m'u dhimbs. Jo vetëm ky si veteran, por çdo i moshuar duhet të ketë falas ngrohjen. Më kujtohet babai që thosh shpesh, plakut po i dhe zjarrin, ai nuk pyet për pjatën, lere dhe pa ushqyer.

Doja ta ngacmoja për votën që i dha rilindjes, për ilaçet e skaduara që pi, për mosrritjen e pensionit, por më erdhi kaq keq sa e mbylla gojën.

-Hajdeni mbasdite nga unë -u thashë- Ngrohemi e bëjmë ndonjë dorë tavëll.

-Rrofsh, rrofsh - tha xha Llazi - por nga ora 5 deri në orën 9 në darkë shkojmë nga TEG-u. Autobuzi është falas e rrimë ngrohtë atje. Bëhemi shumë moshatarë bashkë. Sa kthehemi rrëshqasim në dyshek...

Dhe qeshte dinjitozi Llazi. E dinte që kishte votuar për vrasës e vjedhës, por nuk i shiste ata, as i përgojonte. Dhimbjen dhe vuajtjen i gëlltiste. Për të keqen e tij, por edhe tonën. Ah, mor Llaz, ah more Llazarë që na sollët në krye këta zuzarë...