Vota e emigrantëve, vetëdeklarim i detyrueshëm në e-Albania

5 muaj larg nga zgjedhjet, nëpërmjet një vendimi, qeveria shqiptare ka përcaktuar formën sesi do të regjistrojë emigrantët.

Në lojë hyn sërish portali e-Albania ku shtetasit shqiptarë me vendbanim të përhershëm jashtë vendit, do ta kenë të detyrueshme të japin adresën fikse. Në të kundërt nuk do të përfitojnë më asnjë lloj shërbimi nga shteti shqiptar.

Ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme do të hartojnë formularin tip ku emigrantët duhet të deklarojnë adresën, duke përdorur pasaportën dhe çdo dokument tjetër që vërteton praninë e tyre në atë adresë.

Në rast të përmbushjes së këtij detyrimi thuhet në VKM, autoritetet përgjegjëse i ofrojnë shtetasit shqiptar në adresë shërbime të gjendjes civile dhe ushtrim të së drejtës së votës, e cila duhet të ushtrohet këtë vit për herë të parë dhe nga emigrantët./A2