Një ditë e madhe, nën një pandemi që ka marrë mijëra jetë dhe me nje qeveri, aleate të saj

"Gëzuar ditën e Famurit! 108 vjetorin e Pavarësisë!"

Nga Sali Berisha.

Sot shqiptarët në Shqipëri dhe kudo që jetojnë, festojnë 28 Nëntorin si festën e të gjitha festave, ditën e Flamurit tonë Kombetar, ditën e shpalljes nga Ismail Bej Vlora, 108 vite më parë në qytetin e Vlorës, të Pavarësisë së Shqipërisë.

Më 28 nëntor të vitit 1443, prijësi i përjetshëm i kombit shqiptar ngriti Flamurin e tij, Flamurin Kuq e Zi në Krujë.

Po këtë datë të vitit 1944, nga Shqipëria u larguan pushtuesit e huaj dhe hyri si “çlirimtar” Enver Hoxha, i cili pasi shndërroi listën e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj në një luftë vëllavrasëse, do të vendoste në Shqipëri si Hitleri shqiptar i Pasluftës së Dytë Botërore, diktaturën më mizore që shqiptarët mbajnë mend në historinë e tyre.

Sot, në ditëlindjen e re të kombit tonë të lashtë, ne nderojmë dhe i  përulemi me mirënjohjen më të thellë, Flamurit tonë Kombëtar, babait të Pavarësisë së Shqipërisë Ismail Bej Vlorës, prijësit të përjetshëm të kombit tonë Skënderbeut dhe qindra mijëra shqiptarëve që sakrifikuan jetën e tyre në të gjitha kohërat për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor.

Ditëlindja e re moderne e kombit tonë është ditë që ne nderojmë Flamurin tonë Kombëtar, Ismail bej Vlorën dhe etërit e tjerë të Pavarësisë, nderojmë të rënët tanë të të gjitha kohërave të kombit që ranë për pavarësinë dhe lirinë e kombit tonë.

Prandaj ju ftoj t’iu urojmë së bashku shqiptarëve gëzuar - dhe Shqipërisë dhe mbarë kombit tonë, gëzuar këtë ditë, përjetësi, zhvillim dhe begati!

Por ne festojmë këtë ditë të madhe nën një pandemi që ka marrë mijëra jetë të bashkëkombasve tanë dhe me një qeveri aleate të kësaj pandemie.

Me këtë rast ju ftoj të shprehim ngushëllimet më të ndjera, mijëra familjeve të viktimave të kësaj pandemie, të përulemi me nderim të veçantë para kujtimit të mjekëve, infermierëve që flijuan jetën e tyre gjatë kësaj pandemie për të shpëtuar jetën dhe mbrojtur shëndetin tonë e të shprehim mirënjohje dhe falenderime për bluzat e bardha që përballen në emer të jetës në kushtet më të vështira me Covid-19, armik i rrezikshëm, i cili po merr çdo ditë dhjetëra jetë të pafajshme në Shqipëri.

Sot mendja dhe solidariteti ynë shkojnë vetishëm tek dhjetëra mijëra qytetarë, që një vit më parë u goditën rëndë nga tërmeti dhe që gjatë një viti rrenash dhe mashtrimesh të narko-qeverisë, vuajnë në dëshpërim e zhgënjim të thellë, pasojat e rënda të kësaj fatkeqësie natyrore.

Duke përfunduar, le t’iu urojmë ne mbarë shqiptarëve, gëzuar ditën e Flamurit dhe Pavarësisë! 

Nderim përjetë të rënëve të kombit tonë!