Surroi, nazizmi, Rilindja dhe shumë shkrimtarë që Safeti s'ka si t’i lexojë

Ai e mban maskën të varur si gushare dhe me gjasë që nuk ka lexuar një rresht të vetëm nga Veton Surroi. Jo, se nuk do, por se nuk di. Atij ia kanë thënë të flasë kështu, të veprojë kështu. Ai që ia ka thënë padyshim që e ka lexuar Veton Surroin, prandaj i janë ngritur nervat.

At Zef Pëllumbi në librin “Rrno për me tregue” rrëfen se si klerikët po i çonin nga Kuvendi Françeskan deri tek kinemaja, ku do i bënin gjyqin dhe njerëzia që kishin mbledhur komunistët kishin krijuar një mesore, në të cilën ata kalonin. I gjuanin, i shtynin, i pështynin, i përqeshnin. At Zefi, më i riu mes tyre shkruan: “…Si një popull i vogël si shqiptarët ka mujt me nxjerr kaq shumë rrugaça?”.

Janë të njëjtët, por me një ndryshim; Edi Rama u dha pushtet, i ka bërë të parët e vendit. Kurkush prejt tyre nuk përfaqësojnë qytetarët, lokalitetin apo vlerat e krahinave. Ata erdhën në pushtet pas do zgjedhjeve, ku nuk mori pjesë as 8 për qind e popullsisë, sepse përndryshe nuk do kishte asnjë mundësi që të ngjiteshin aq lart.

Kukësi është qyteti i Havzi Nelës, prandaj biri që mendon se ka e patur babën në anën e duhur të historisë, veç kështu do të hakmerrej duke u vënë Safet Gjicin kryetar. Është një shpagë që më pas e mori ndaj Veton Surroit dhe një dreq e di sa të gjatë e ka listën. I ngjan një kapo tribuje që i sulet presë. Rilindja e tij vepron sipas ligjësive tribale.

Një regjim që u sulet shkrimtarëve nuk ndryshon aspak nga nazizmi. Tek “Bota e djeshme” Stefan Zweig nuk e fsheh çudinë se si e persekutuan, sak atë që ishte i mirënjohur, jo vetëm në Austri e Gjermani, por në mbarë botën. Ai vuante ta kuptonte përse një njeri i këtillë pa ndërgjegje etnike (Zweig e konsideronte veten austriak, jo hebre) duhet të merrte rrugët si refugjat e të linte pas emrin e tij, pasurinë, rrënjët familjare deri tek koleksioni i çmuar.

Dje, mu kujtua, kur Safet Gjici thërriste me gushën e mbuluar nga gojaca bërtiste: “Çfarë nderi i qarkut është ky?”.

Çfarë nderi i kishte bërë Stefan Zweig vendit të tij? Asnjë nder, sepse ishte hebre, ishte kundër nazistëve. Sak dhe Veton Surroi nuk ka ç’nder t’i bëjë Rilindjes, sepse është formimi i tij, historia e tij, familja e tij që do e pengojë përherë ta bëjë këtë nder.

… dhe ashtu si në dramën e Bertold Breht “Arturo Ui (Ngjitja elastike e Arturo Ui)” personazhi kryesor pasi bën të pabërën shpërthen në elegji marroke që më shumë se sa gënjeshtrën na rrëfen delirin, në të cilin jeton. Edi Rama po dje shpërtheu, tek tha: “Lajthitje kolektive!”.

Nuk u bë qesharak, por mjeran Safet Gjici, kur vetëm pak orë pasi bëri cubin gëlltiti: “Në emër të Bashkisë Kukës kërkoj ndjesë për veprimin e nxituar sot në Këshillin e Qarkut, lidhur me vendimmarrjen për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit, pas kërkesës  së 57 familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së!”. Pra, fajin ua la luftëtarëve, UÇK-së, trustit të lulelakrës do të shkruante Breht.

Veton Surroi me siguri ka shkuar në shtëpinë e tij në Qerret të Kavajës e nuk do qe çudi të shkruante rreshtat e parë të një romani të ri, i cili mund t’i ngjajë “Doktor Gjilpërës” së Faik Konicës që mbeti në gjysëm. Uroj ta çojë deri në fund, ani se Safeti kurrë nuk do ta lëçisë, kurse Edi Rama do të vlojë nga smira e atij që dyshon në taletin e tij artistik, tëpkë si Adolf Hitler-i, kur qëndronte para telajos.