Humbi familjen nga tërmeti/ Rrëfimi prekës i Carës: Do të bëhesha gjysh, tani s’jam më as baba

Albert Cara, i mbijetuari i vetëm i familjes së tij pas tërmetit të 26 nëntorit, rrëfen tragjedinë dhe boshllëkun që i ka lënë largimi i të afërmve.

Me lot në sy, Alberti tregon për News 24 se priste të bëhej gjysh pasi nusja e tij ishte 2 muajshe shtatzënë, pa e menduar se do të vinte dita që nuk do të ishte më as baba.

“Atë natë ra i pari, i lehtë, nga ora 20:00. Miri dhe nusja, Stela, kanë ndenjur në kafe deri nga ora 03:00. Ajo që më ka ngelur pishman është pse u kthyen. Unë dola në korridor kur ra tërmeti, ndërsa nusja me djalin, të përqafuar, ishin në një kollonë. 

Nuk po ngriheshin dot në këmbë për shkak të lëkundjeve. Ka qenë tmerr, e kujtoj, nuk e di sesi po e përballoj. O zot, thashë, dhe u lusja. Dy të vegjëlit më ikën para syve. Nga kati i pestë rashë në kat të parë. Gruaja më ka lënë sakat, e kisha shok, kishim një marrëdhënie të jashtëzakonshme. Kur mendova se arrita gjithçka, m’u shkatërrua. Do të bëhesha gjysh, nusja ishte dy muajshe shtatzënë, por tanimë nuk jam as baba”, -u shpreh Albert Cara.

Kujtojmë se nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, Albert Cara humbi tre fëmijët, gruan, të fejuarën e djalit, nusen e xhaxhait dhe vajzën e saj.

Ai u nis menjëherë drejt Italisë pasi u nxorr nga rrënojat, ku qëndroi i shtruar në spital për më shumë se dy muaj.