Qeveria juaj, ç'administratë do të na sjellë?! - Biznesmeni kërkon përgjigje nga Basha për 'thembrën e Akilit'

Kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, iu bë një pyetje e drejtpërdrejtë sot nga një biznesmen në Shkodër për atë që ai e quante si vuajtje, si “thembrën e Akilit” sot: Pra, si do ta përzgjidhte Basha si drejtues i qeverisë së ardhshme, administratën që do të komunikonte me biznesin?   

Biznesmeni tha: “ Të themi të drejtën, siç e shohim ne, e ardhmja duket e zbehtë me këtë forcë politike apo me këta drejtues aktualë. Kisha një pyetje direkt, në adresën tuaj, se jeni e ardhmja ose forca politike që ne dëshirojmë të vijë në pushtet. E kam dëgjuar disa herë programin tuaj politik, është ambicioz, i qartë, por "thembra e Akilit" këtu është administrata që do ta vërë në jetë këtë program, se kjo është vuajtja më e madhe, se në 25 vjet ne kemi vuajtur.

A kini ndonjë program, a keni menduar ndonjë strategji si lokalitet por edhe si vend? Biznesi im është i shtrirë në të gjithë Shqipërinë, unë operoj në dyqane të ndryshme dhe në disa qytete. Administrata e ardhshme, ku do të bazohet? Çfarë njerëzish do të kemi përballë? Se ligjet nuk mund t’i fajësojmë, por problem janë tek zbatuesi. Ju si drejtuesi i opozitës, si e ardhmja, a keni menduar se kush do të jenë ata njerëz, çfarë kriteresh do të kenë ata?

Basha tha: Në konceptin tonë, një shtet i stërmadh, me dhjetëra inspektoriate, me rregulla që shkruhen e rishkruhen dhe as kanë kohë t’i kuptojnë ata që duhet t’i zbatojnë, jo më ju që jeni subjekt, nuk e ndihmon ekonominë, as shtetin, as mbledhjen e të ardhurave, as shpenzimet publike.

Në vende si tonat, ku kemi probleme të trashëguara të dobësisë së administratës, në gjykimin tim dhe programin tonë të mesëm,ka një zgjidhje dhe zgjidhja është: Rregulla të qarta, të zbatueshme dhe kontakt minimal midis administratës dhe qytetarit.

Si arrihet kjo?! Kjo arrihet në radhë të parë duke thjeshtuar rregullat.

Ja po marr rregullat fiskale. Në qoftë se kemi taksë të sheshtë vetëm 9%, nëse taksa është vetëm 9%, nuk kemi fluktuacione të ndryshme, atëherë nuk kemi asnjë marzh që të shtyjmë qytetarin apo biznesin drejt fshehjes së të ardhurve dhe të krijojmë një mënyrë për abuzim. Ky është hapi i parë.

Hapi i dytë: - Nuk ka pse të vijë taksidari mëngjes, drekë, darkë tek dera e biznesit! - Dixhitalizim, nuk ka nevojë për kontakt! - Analizë risku! Dhe me këto dy metoda ne reduktojmë praninë e çdo lloj inspektori tek biznesi me të paktën dhjetë herë më pak se sot.”