Nuk pyet as për BE, as për 'Venecian', Rama do votojë ligjin për median

Edhe pse Bashkimi Europian ia ka vënë si një kusht të panegociueshëm, edhe pse Komisioni i Venecias e hodhi poshtë, Edi Rama ka vendosur që të votojë ligjin e shumëpërfolur anti- medias së lirë, “për shpifje”.

Kjo gjë konfirmohet nga Kuvendi, ku Konferenca e Kryetarëve vendosi zhvillimin e seancave plenare me datat 3, 10 dhe 17 dhjetor 2020.

Përveç të tjerave, mazhoranca ka futur në agjendë votimin brenda dhjetorit, edhe ligjin e ri për median, i cili u rrëzua në mënyrë të prerë nga Komisioni i Venecias.

Ligji i ri për median, pjesë e ‘paketës anti-shpifje’ filloi si një nismë e ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj më 3 korrik 2019, por që atëherë nga faktorë vendas dhe ndërkombëtarë, ajo është cilësuar njëzëri si një tjetër përpjekje e qeverisë Rama për të kapur dhe kontrolluar median online.