Çfarë do të tregojë Rama me injorimin brutal që i bëri 'Venecias'?

Më 26 tetor ndërkohë që kishte vendosur që të kalonte në parlament Kodin e ri Zgjedhor pa konsensus dhe me dhunën e kartonëve të një parlamenti “monist” kryeministri Edi Rama deklaroi: “Mendimi i Venecias është gjithnjë i mirëseardhur”.

Komisioni ashtu siç kishte premtuar erdhi për tu konsultuar me palët për një çështje e cila ishte kërkuar edhe nga Parlamenti Europian që të kalonte nëpërmjet tij, por vetëm “mirëseardhjen” e Edi Ramës dhe mazhorancës që ai përfaqëson nuk gjeti.

Ditën e djeshme misioni konsultativ në Shqipëri u mbyll, por me një incident të paprecedent që nuk i kishte ndodhur asnjëherë që nga koha kur është themeluar në vitin 1990. Ai refuzua në mënyrë brutale nga forca që qeveris një vend i cili është anëtar i Komisionit të Venecias.

Pasojat e këtij veprimi duket qartë që do të bien mbi axhendën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, e cila çdo ditë e më shumë po duket hapur se Edi Ramës nuk intereson.

Ky precedent, ky refuzim dhe kjo arrogancë që tregoi Edi Rama përveçse vërteton qëllimet e mbrapshta që ka pasur ai me miratim e njëanshëm të Kodit Zgjedhor, edhe rrugën e përplasjes me vetëdije me Bashkimin Europian dhe institucionet e tij si ky Komision që vëzhgon dhe bën mbarëvajtjen e demokracisë dhe të shtetit ligjor në vendet anëtare.

Kujtojmë që Edi Rama është shfaqur sistematikisht si  një politikan dhe kryeministër, i cili sa herë që ka pasur nevojë, ka bërtitur “Komisioni, Venecia, Komisioni…” siç bëri me ligjin për vetting, luftën ndaj presidentit Ilir Meta etj.

Pikërisht këtë temë “Komisioni i Venecias është i mirë kur na duhet dhe e refuzojmë kur nuk na intereson”, ka trajtuar mjeshtri i karikaturës politike, Bujar Kapexhiu, në punën e tij të radhës botuar te “Mapo”.