Biden mbrohet: Ky nuk është mandati i tretë i Obamës

Presidenti i zgjedhur në SHBA, Joe Biden, ka dhënë të parën intervistë që pas zgjedhjeve.

Duke folur për NBC, ai tha se presidenca e tij nuk do të jetë ‘mandati i tretë i Obamës’.

Këto komente vijnë pasi shumica e njerëzve që ai ka emëruar në kabinetin e tij janë pjesë e ish-administratës së presidentit Barack Obama.

Ndërkohë Biden është zotuar se do të rikthejë një numër politikash dhe marrëveshjesh të kohës së Obamë, që ishin anuluar ose sulmuar nga presidenti në detyrë, Donald Trump.

“Ky nuk është një mandat i tretë për Obamën. Ne përballemi me një botë krejt tjetër nga ajo që u përballëm gjatë administratës Obama-Biden,” tha ai. “Presidenti Trump e ka ndryshuar këtë panoramë,” shtoi Biden.

Ai tha se qëllimi i tij është që administrata të prezantojë të gjithë spektrin e popullit amerikan. “Dua që vendi të jetë i bashkuar,” tha Biden.

Po ashtu ai tha se nuk do ta përdorë Departamentin e Drejtësisë si armë për të hetuar Donald Trump dhe aleatët e tij.