Analiza e Kombëtares / Rekord, rinovim dhe lojtarë për 10 vitet e ardhshme

Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi ndaj Bjellorusisë 3-2 në Tiranë, duke u renditur në krye të Grupit 4 të Ligës C në UEFA Nations League. Kuqezinjtë grumbulluan 11 pikë në 6 ndeshje duke kapur kreun dhe duke lënë pas Bjellorusinë, Lituaninë dhe Kazakistanin.

Si rrallëherë në histori dhe në ato rastet që numërohen me gishtat e njërës dorë, Shqipëria e mbylli një turne ndërkombëtar në vendin e parë të grupit, duke vendosur një rekord të ri. Një entuziazëm që nuk zgjati shumë, pasi cilësohej si mbyllja e detyrës në “Ligën e Kombeve”. Padyshim që arritja në Europianin e Francës e ka rritur së tepërmi stekën e Kombëtares, ndërsa më parë quhej arritje nëse nuk dilnim të parafundit në grup.

Kjo është panorama që ofrohet në kaq pak vite të kaluara. Por këtë herë Kombëtarja fitoi shumë më tepër sesa thjeshtë prestigji duke kaluar në Ligën B dhe duke përfunduar si e para e grupit.

Përveç faktit se është hera e parë që përfaqësuesja shqiptare renditet e para e grupit në përfundim të një turneu ndërkombëtar, ky edicion do të mbahet mend për shumë rekorde pozitive në kampin kuqezi.

Dhe ajo që ndoshta vlen më shumë për t’u përmendur është fakti se tashmë kemi një grup të konsoliduar lojtarësh që na japin garanci të mëdha për të ardhme. Në turneun që përfundoi para pak ditësh trajneri Edoardo Reja grumbulloi afërsisht 40 lojtarë dhe në të gjitha takimet e luajtura nga shtatori e deri në nëntor ai nuk e ka pasur në asnjë moment formacionin e tij ideal.

Pandemia COVID-19, problemet me klubet dhe dëmtimet kanë bërë që ekipit kuqezi t’i mungonin në shumë raste lojtarë me peshë. Por pavarësisht mungesave dhe ndryshimeve të kushtëzuara, tekniku italian është mbështetur në talentet e shumta që vijnë nga ekipet kombëtare të moshave. Madje, në një moment gjatë ndeshjeve të tetorit në skuadër u afruan shumë të rinj, të cilët patën shanset e tyre dhe tregua vlera në transfertat e Kazakistanit dhe Lituanisë. E nëse do të kishim pak më shumë fat do të kishim marrë edhe më shumë pikë, nëse do të kishim konkretizuar ato raste për shënim. Gjithsesi, gjatë rrugës u bë edhe një riformatim i ekipit dhe ndonëse u bënë eksperimente, kombëtarja nuk doli jashtë objektivit dhe në fund të turneut ia doli të renditej e para e grupit.

Madje për herë të parë nuk e kanë vendin të sigurt në Kombëtare as lojtarë si Elseid Hysaj, të cilët kanë një peshë të madhe në 11-shin kuqezi.

Pas paraqitjeve mbresëlënëse të Albi Dokës, tanimë edhe mbrojtësi shkodran duhet të djersijë shumë fanellën. Në të kundërt do të shoh sesi luajnë shokët e tij dhe ta ndjekë Shqipërinë nga stoli. Pa harruar edhe futbollistët e tjerë si Armando Broja, Sherif Kallaku, Xhakomo Vrioni, Enis Cokaj, Ramen Cepele dhe Marsel Ismajgeci. Të gjithë këta futbollistë kanë pasur mundësinë e tyre që të lënë përshtypje të mirë për t’u grumbulluar sërish te Kombëtarja A dhe të tregojnë aftësitë e tyre.

Padyshim që kulmi arriti me debutimin e Çepeles, djaloshit 17-vjeçar që arriti të mbante në kontroll një sulmues si Vedat Muriqi. Asnjë ndeshje zyrtare nuk kishte zhvilluar në futbollin “burrëror”, por vetëm tek të rinjtë. Por kjo nuk e ndaloi Çepelen që të bënte një paraqitje të mrekullueshme duke i bërë shumë “specialistë” që të përtypnin fjalët e paragjykimet e tyre.

Kur Cepele u paraqit në nivelin më të lartë nuk ngurruan edhe komentet që e shihnin këtë debutim si normalitet. E cili trajner tjetër shqiptar mund t’i kishte dhënë këtë besim? Shumë pak, e gjitha është çështje e një mentaliteti.

Pikërisht në vendin që të rinjve nuk u jepet kurrë besimi në çdo aspekt dhe në çdo fushë… nuk duhet të gënjejmë veten! Që të punosh diku dhe të marrësh përgjegjësi duhet që të kesh me patjetër një eksperiencë dhe kjo eksperiencë nuk ka se ku të merret. Pra logjika jonë nuk qëndron në asnjë vend, por ndonjëherë këto tipare të veçanta na dallojnë si shqiptarë.

Ashtu si edhe në rastin e Keidi Bares që pasi kaloi nga të gjitha ekipet zinxhirë te Kombëtarja, shihej ende me dyshim nga shumë specialistë se po i jepej mundësia shumë herët. Por e vërteta ishte tërësisht tjetër pasi Bare e kishte treguar se e meritonte shansin kohë më parë për të treguar vlerat e tij duke u bërë “i paprekshëm” në Kombëtare.

Në ndeshjen kundër Kosovës do të debutonte Hoxhallari dhe do t’i jepej mundësia edhe Selahit për të shfaqur aftësitë e tij. Pra, një listë me shumëllojshmëri emrash premtues për të ardhmen dhe duke i dhënë talenteve shansin e munguar më herët. Jon Mersinaj është një tjetër futbollist që ka pasur vëmendjen e vazhdueshme të Rejës, por nuk ka ardhur ende te Shqipëria për shkakun e dëmtimeve.

Këtu nuk duhet të harrojmë edhe prurjet që vijnë nga Kombëtarja U-21 si një logjikë e një pune dhe projekti afatgjatë. Pra futbollistët nuk janë të dalë rastësisht pasi shkëlqejnë në Europë dhe papritur shihet se kanë lindur në Shqipëri, por përzgjedhja bëhet që në moshat më të vogla për të bërë edhe hapin e madh. Pasi lojtarët tregojnë vlerat e tyre me grupmoshat U-17, U-19, U-20, U-21, atëherë bëjnë kalimin në Kombëtaren A. Një ndër këto raste ishte edhe Marash Kumbulla që ka dhënë kontribut të mëparshëm me moshat tona.

Mosha mesatare e këtij grupi është 25.5 vjeç dhe kontingjenti i futbollistëve me të ardhme është shumë i madh. Brezi i Shpresave është i jashtëzakonshëm pasi rezultatet e tyre janë në rritje dhe shumë prodhime po bëhen gati për të lënë gjurmë. Është një mundësi mjaft e mirë për një kombëtare si kjo e jona, që nuk e ka pasur kurrë këtë luks zgjedhjesh dhe kaq alternativa, faktorë që na bëjnë të ëndërrojmë për një tjetër arritje madhore.