Ja pse duhet testimi masiv/ Një shembull për qeverinë shqiptare

Qeveria shqiptare dhe i ashtuquajturi Komiteti Teknik vazhdojnë të minimizojnë efektet e testimit masiv për koronavirusin.

Teksa pandemia duket se ka dalë jashtë kontrollit në Shqipëri, një shembull nga Anglia tregon se përse duhen testuar sa më shumë njerëz.

Sipas BBC, rastet me koronavirus në qytetin e Liverpulit kanë shënuar një ulje të ndjeshme pas nisjes së testimit masiv. Rastet në qytet janë ulur me më shumë se dy të tretat, tha Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock.

Më shumë se 200 mijë veta në një popullsi prej mbi gjysmë milion banorë janë testuar.

Kontakteve të ngushta të personave pozitivë iu është ofruar mundësia që të bëjnë testin përditë për një javë rresht në vend që të shkojnë në izolim.

Testimi masiv synon që të pikasë rastet me koronavirus te personat pa simptoma.

Sipas BBC, këta njerëz kanë mundësi që ta shpërndajnë virusin. “Nëse i izolon këta persona, ndalohet zinxhiri i transmetimit,” shkruan BBC.

Së fundmi, shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se testimi vetëm i personave me simptoma ka pak efekt në zinxhirin e transmetimit.