Liverpooli nuk i ka problem mungesat, bën detyrën në Premierligë

Liverpooli ia del të imponohet me autoritetin e skuadrës kampione të Anglisë edhe me shtatë mungesa në formacion.

“The Reds” triumfuan 3-0 përballë Leicester City-t në “Anfield” dhe ruajnë hapin e rivalëve në Premier League.

Skuadra e Jurgen Kloppit e zhbllokoi takimin në minutën e 21-të falë autogolit të Evans, ndërsa në minutën e 41-të shënoi me kokë portugezi Jota, që po rezulton një blerje e goditur e “The Reds”.

Liverpooli i mbylli llogaritë me “Dhelprat” në minutën e 86-të me golin e Firminhos, i cili u shfaqë i pambuluar në zonë pas krosimit të veteranit James Milner nga këndi.

Kujtojmë që në këtë ndeshje Klopp nuk kishte në dispozicion as sulmuesin Mohamed Salah, i infektuar me Koronavirus, ndërsa në qendër të mbrojtjes u aktivizua Fabinho krah Matip, për të mbuluar mungesat e qendërmbrojtësve Gomez e van Dijk.