Rudi Vata në ‘Fair Play’: Shpresoj mos të jetë më ‘Kali i Trojës’ te Vllaznia

Ish-kapiteni i ekipit kombëtar, Rudi Vata, në një lidhje “Skype” në emisionin “Fair Play” nga gazetarja Enkeleida Zeko në Syri TV foli për Vllazninë, e cila kryeson Superioren e vetme me pikë të plota pas 3 javësh.

“Është një Vllazni e mirëorganizuar, më mirë se disa skuadra të kampionatit shqiptar. Po punohet me seriozitet dhe është përqendruar te grupi, jo më si më përpara kur kishte individë cilësorë, por nuk kishte skuadër kompakte. Me ardhjen e sponsorit të ri dhe të trajnerit Bërdaric, ka ndryshuar tërësisht Vllaznia.

Mendoj se Vllaznia nuk është marrë në konsideratë nga kundërshtarët. E shohin si një Vllazni pa ambicie dhe duke mos patur presionin e rezultateve, ka gjetur ekuilibrin e duhur.

Trajneri është i uritur, është serioz në punën që bën dhe mbështetja e sponsorit Xhaferri i ka shërbyer. Është një skuadër e organizuar, por ka edhe defekte. Ka fituar tre ndeshje, është në krye dhe duke arritur këtë stabilitet, skuadra vetëm mund të rritet.

Vllaznia është pretendente. E shoh mjaft komode, ku s’do të luftojë më për mbijetesën, por për Kupat e Evropës. Nëse vazhdon me këtë ritëm, mos të ketë “Kalin e Trojës”, që eksiton në ambientin e Shkodrës, apo një Hamza, pasi ka njerëz negativë që mundohen të prishin punët e mira, ekipi do të ecë si duhet. E shoh një Vllazni kompakte, ku mbështetja e klubit ka qenë perfekte”, deklaroi shkodrani Rudi Vata.