FOTO/ Fakte të reja për skandalin CEZ, burri i Avokates së Shtetit, avokati i kreut të kompanisë çeke

Dalin në dritë të tjera fakte mbi çështjen CEZ , që duket se komprometojnë qëndrimin e shtetit shqiptar në lidhje me zgjidhjen e konfliktit me kompaninë çeke dhe rolin që ka patur në këtë histori Avokatja e Shtetit, Alma Hiçka.

Gazeta “Rilindja Demokratike” raporton se zyra që ka mbrojtur kompaninë në gjyqet që kjo e fundit ka pasur me shtetin shqiptar drejtohej nga Envi Hiçka, burri i avokates së shtetit, Alma Hiçka, e cila mbronte interesat e shtetit shqiptar. http://www.rd.al/2017/02/burri-i-avokates-se-shtetit-avokati-i-kompanise...

Sipas gazetës, bashkëshorti i saj Envi Hiçka ka qenë përfaqësues me të drejta të plota, i autorizuar nga administratori i CEZ Josef Hejsek, dhe e ka mbrojtur në gjyqet që kompania ka pasur me tatimet e Tiranës, dhe për çdo konflikt tjetër.

Në 6 dhjetor, Alma Hiçka u pyet për këtë çështje në Komisionin Hetimor për CEZ, por mohoi  të ishte në dijeni që bashkëshorti i saj të ishte avokat i kompanisë. Megjithatë gazeta thotë se emri i bashkëshortit të Alma Hiçkës del në vendimet e gjykatave, apo në çështjen gjyqësore mes DIA dhe CEZ.

Një ditë më parë në seancën e dytë dëgjimore në Komisionin Hetimor për këtë çështje ku Avokatja e Shtetit  ishte thirrur si dëshmitare iu shmang pyetjeve dhe u përfshi në një debat të tensionuar me  anëtarët e Komisionit.

Tonet u acaruan kur Spaho i kërkoi disa herë Avokates së Shtetit që të pushonte dhe të dëgjonte pyetjet, por ajo ka përsëritur vazhdimisht se po shkelin rregullat e marrjes në pyetje të dëshmitarëve.

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri dhe Avokatja e Shtetit, Ala Hiçka u paditën në Prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me akuzën se me negociatat për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve me kompaninë çeke, CEZ i shkaktuan shtetit shqiptar një dëm prej 479 milionë eurosh.