VIDEO/ De Biasi përshëndet shqiptarët, ka këtë mesazh për FSHF-në

Ish-trajneri i Shqipërisë, Giani De Biasi, ka dërguar një mesazh për FSHF-në në kuadër të kursit të përgatitësve atletik që do të mbahet në muajin dhjetor.

Nëpërmjet një videomesazhi, trajneri aktual i Azerbajxhanit theksoi se sot e ka të pamundur të mos ketë në krah një përgatitës atletik.

Në fund, ai vlerësoi përgatitësin atletik te kombëtarja kuqezi, Luigi Febbrari, ndërsa motivoi ekipin tonë për të ardhmen.

Mesazhi i De Biasit

“Përshëndetje të gjithë miqtë e mi shqiptarë! Mësova se Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar një kurs për përgatitës atletik, një figurë vërtetë e rëndësishme në panoramën futbollistike botërore.

Kur unë nisa karrierën bëja edhe trajnerin edhe përgatitësin atletik njëherësh dhe ka qenë një eksperiencë që më ka shërbyer shumë. Por duhet të them se sot nuk do të punoja pa një përgatitës atletik, edhe sepse procesi i zhvillimit të futbollit, dhe konkretisht i futbollit shqiptar, kalon përmes vlerësimit të punës tuaj, të përgatitësve atletikë.

Kësisoj, uroj që me ndihmën e FSHF-së, që ka organizuar këtë kurs dhe me ndihmën e mikut tim Xhixhi (Luigi Febbrari), një person i besueshëm dhe tejet i aftë, të bëni një përgatitje sa më të mirë. Ju përqafoj dhe gjithmonë forca Shqipëria!”.

Kujtojmë se sipas rregullores së re të miratuar nga FSHF-ja, në çdo skuadër futbolli do të ketë një përgatitës atletik në stafin e një skuadre, por edhe në stolin e saj teknik.